Gramoz Vokrri për letrën e UEFA-s: Çfarë të pritet nga Ademi kur fsheh një letër kaq të rëndësishme dhe rrezikon përjashtimin e Kosovës nga UEFA
Djali i legjendës Fadil Vokrri, Gramozi që është kundërkandidat i Agim Ademit për postin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, ka treguar për pritjen që i është bërë kur dorëzoi votat.
Vokrri para dy javëve dorëzoi zyrtarisht votat në Federatën e Futbollit të Kosovës, përmes të cilave mund t’i lejohet të kandidojë për postin e kryetarit sapo të pranohen nga Komiteti Ekzekutiv.
Derisa ishte duke folur në “Duelin Sportiv”, Vokrri tha se dy roje sigurimi e pritën dhe që mbeti i befasuar.
“Më kanë pritur me dy roje sigurimi. U befsova kur i pashë. Sepse zakonisht aty te dera nuk qëndrojnë sigurimi”, tha shkurtimisht ai.
Për Vokrrin kjo ishte hera e parë që shkoi në Federatën e Futbollit të Kosovës pas plotë tre viteve, pasi në vitin 2019 u largua pas një mosmarrëveshje.
Tutje, Vokrri tha se kryetari aktual, Agim Ademi për një interes të vetin, ka rrezikuar ta përjashtojë Kosovën nga UEFA.
"Ky po shihet që është interesi i një individi, i cili ka rrezikuar edhe ta përjashtojë Kosovën (nga UEFA) për një interes të vetin, kjo më të vërtetë është tmerruese dhe shqetësuese".
Vokrri nuk hezitoi të flet edhe për letrën e UEFA-së që i dërgoi Agim Ademit para disa viteve, duke e suspenduar nga puna për dy vite e gjysmë, të cilën Gazeta Nacionale e bëri publike pak më herët.
"Kjo është më të vërtetë shqetësuese. Nuk kam koment. Çka pritet prej një federate e cila e fsheh kaq gjatë një letër të tillë. Çka pritet me certifikimin e nënshkrimeve (për zgjedhjet për president) kur federata fsheh një letër kaq të rëndësishme. Këtu shihet qartë një tendencë që të bëhet gjithcka për një pozitë të caktuar (të kryetarit)"
Për fund, kujtojmë se Vokrri ka dorëzuar 16 nënshkrime dhe këto ishin klubet që i dhanë mbështetje:
FC Drita, FC Prishtina, FC Drenica, FC Malisheva, FC Ulpiana, KF Trepça '89, KF Kika, KF Vllaznia, Lidhja Rajonale e Futbollit të Gjakovës dhe Lidhja Rajonale e Futbollit të Gjilanit.