Goli i Mërgim Berishës vendimtar për humbjen e Bayernit, Dortmund fiton derbin ndaj Schalkes
Mërgim Berisha me golin e tij ka qenë përcaktues për një fitore të madhe që Augsburg arriti ndaj Bayernit me rezultat 1:0. Fitore me shifra të njëjta ka korrur edhe Dortmund ndaj Schalkes.
Bayerni nuk është e njëjta skuadër si në Ligën e Kampionëve. Bavarezët edhe pse e nisën shumë sezonin në Bundesligë, gjatë javëve të fundit kanë ngecur në rezultate.
Për ta thelluar këtë krizë sot u përkujdes Mërgim Berisha, në derbin e Bavarisë, në të cilin në fund doli fitues Augsburg, pikërisht si rrjedhojë e golit që shënoi 24-vjeçari me shtetësi austriake.
Nga ky hap fals i Bayernit më së miri përfitoi Dortmundi. Skuadra perëdimore gjermane ndonëse me vështirësi të theksuar, arriti ta mposhtë Schalken në derbin e madh të Gjermanisë.
Raporti i ndeshjes Augsburg 1:0 Bayern
Bayerni hyri në fushë me të gjitha forcat që të nxjerrë një rezultat sa më të favorshëm, për t’iu rikthyer fitores në kampionat, e cila i mungon që prej 21 gushtit, kur triumfonte në udhëtim me rezultat 0:7 kundër Bochumit.
Mirëpo derbi kundër Augsburgut doli të jetë më i ndërlikuar seç pritej. Pjesa e parë foli në të mirë të Bayernit, që ishte më kërkues dhe përpiqej që ta zhbllokonte rezultatin sa më parë. Diçka që nuk ia doli dhe 45 minutat e para u mbyllën me epilog 0:0.
Në pjesën e dytë loja kishte avazin e njëjtë. Bayerni ishte kishte një vëllim sulmesh të admirueshme, por vërehej edhe një herë që po i mungon qendërsulmuesi që di t’i konkretizojë rastet, ngase portat mbeteshin të patundura.
U desh të vinte minuta e 59-të për t’u zhbllokuar rezultati. Një goditje standarde e ekzekutuar nga gjysma e fushës ishte fatale për Bayernin. Rrjedha e kësaj ndërprerje pa një top të devijuar nga Iago, i cili shërbeu për Mërgim Berishën që gjendej pesë metra në afërsi të portës. Nga ajo distancë Berisha nuk gaboi dhe shpiu topin në rrjetë për 1:0.
Gjatë tridhjetë minutave në vijim Bayern u vërsul i gjithi në sulm, por Augsburg qëndroi kompakt në mbrojtje, duke shmangur çfarëdo mundësie që ndeshja të rikthehej në baraspeshë.
Kësisoj, u mbyll rezultati 1:0 në të mirë të vendësve, me Nagelsmann që duhet të kënaqet me vendin e katërt për momentin, ku skuadra e tij ka grumbulluar 12 pikë në shtatë paraqitje të zhvilluara. Në anën tjetër, Augsburg zë pozitën e 11-të me 9 pikë.

Raporti i ndeshjes Dortmund 1:0 Schalke
Dortmund ka shënuar një fitore shumë të rëndësishëm gjatë pasditës së sotme në Bundesliga, pasi ka mposhtur rivalin e përbetuar, Schalken.
Anipse sfida me periudha të ndryshme të kohës ishte e mërzitshme, ndryshe nga seç jemi mësuar t’i shohim këto dy skuadra kur ndeshen njëra me tjetrën – në fund Dortmund ia doli të ngadhënjejë.
Për ta parë golin e parë dhe të vetëm në këtë ndeshje, u desh të pritej minuta e 79-të, kur Moukoko i gjendur afër portës kundërshtare, shënoi për t’i dhënë epërsinë skuadrës së tij.
Kjo fitore e Dortmundit vjen pas një disfate që skuadra pësoi në Ligën e Kampionëve në “Etihad”, me golin e ish-it, Haaland, që përmbysi rezultatin në 2:1.
Deri në ndeshjet tjera që do t’i zhvillojnë Union Berlin, Freiburg dhe Hoffenheim – skuadra e trajnerit kroat Terzic do të mund t’i gëzohet të qenit lider në kampionat.
