Goli i Mbappes vendos, PSG e mposht Rennesin dhe rrugëton drejt finales të Kupës së Francës - NACIONALE

Goli i Mbappes vendos, PSG e mposht Rennesin dhe rrugëton drejt finales të Kupës së Francës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kylian Mbappe sërish ka qenë vendimtar për skuadrën e tij, Paris Saint-Germain, pasi goli i tij ishte i vetmi i shënuar në gjysmëfinale ndaj Rennes në Kupë të Francës, me çka ka arritur në finale të kësaj gare.

Edhe pse trajtimi nuk ka qenë më i miri i mundshëm ndaj tij në kohët e fundit, pasi është zëvendësuar pothuajse në të gjitha ndeshjet, ai ka qenë gjithmonë vendimtar për klubin që do ta lë në fund të sezonit.

PSG po kalon sezon të mirë, teksa është në garë për të gjithë trofetë e mëdhenj, por gjysmëfinalen ndaj Rennes me shumë vështirësi arriti ta fitonte.

Natyrisht, skuadra e Luis Enriques e dominoi tërësisht takimin, si në posedim ashtu edhe në raste të krijuara, por vetëm një gol u shënua në 90 minuta lojë.

Kylian Mbappe që në minutën e 37-të e humbi një penallti, vetëm tre minuta më vonë ia dha epërsinë skuadrës së tij.

Ai u nis në një kundërsulm, ku pasi dribloi një kundërshtar, arriti të godiste, me topin që u devijua dhe për fatin e tij përfundoi pas krahëve të portierit për rezultatin 1:0.

Deri në fund të takimit nuk pati gola të shënuar më, me PSG që arrin në finale të Kupës së Francës, ku do të takohet me Lyonin, që dje fitoi bindshëm në gjysmëfinalen tjetër.

PSG është në garë në Ligë të Kampionëve, teksa është rrugës së mirë për t'u shpallur kampion në Ligue 1.

Lajme të ngjashme