Golden Eagle Ylli sërish favorit për të triumfuar në Ligën Unike - NACIONALE

Golden Eagle Ylli sërish favorit për të triumfuar në Ligën Unike

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas edicionit të parë në Ligën Unike, i cili u zhvillua në kushte të kufizuara dhe jo sikurse në sezonin aktual, kampion i atij viti u shpall skuadra nga Theranda, Golden Eagle Ylli, e cila është favorit kryesor për ta mbrojtur prapë titullin.Liga Unike u themelua më 10 shtator të vitit 2020, ku morën pjesë një mori figurash të njohura gjatë zyrtarizmit, siç janë kryetarët përkatës të federatave të basketbollit si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, pra Arben Fetahu e Avni Ponari respektivisht. Gjithashtu, i pranishëm ishte edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, si dhe kryetari i FIBA Evropës, Turgay Demirel.

Shkruan: Vivianit Gërguri


Ky kompeticion në basketboll është njëherit i pari sportiv që zhvillohet mes dy vendeve për të krijuar një garë të përbashkët.
Edhe pse viti i parë i kësaj gare nuk shkoi ashtu siç u planifikua për shkak të pandemisë Covdi-19, ajo u zhvillua në formë të Final 8 me skuadrat pjesëmarrëse si më poshtë: Golden Eagle Ylli, Sigal Prishtina, Peja, Rahoveci, Vllaznia e Shkodrës, Goga Basket dhe Tirana, kurse në momentet e fundit skuadra nga Durrësi, Teuta, u tërhoq nga gara.

Ndeshjet çerekfinale u zhvilluan në Kosovë, përkatësisht në qytetin e Rahovecit, ndërsa gjysmëfinalja dhe finalja u luajtën në Shqipëri, gjegjësisht në qytetin e Durrësit.
Kampionia e parë e Ligës Unike ishte skuadra e Golden Eagle Ylli, e cila e mposhti në finale skuadrën pejane, ndërkaq si e treta u rendit Rahoveci. Lojtari më i dalluar i ligës u shpall Erjon Kastrati, reprezentues i Kosovës në basketboll si dhe lojtar i skuadrës therandase.


Kurse, në këtë sezon të ri të Ligës Unike u zhvillua një format tjetër për shkak edhe të rrethanave lehtësuese me pandeminë. Pjesëmarrëse sërish janë tetë skuadra nga Kosova dhe Shqipëria, siç janë: Golden Eagle Ylli, Prizreni-16, Peja, Teuta, Rahoveci, Tirana, Vllaznia dhe Kamza.
Në planin e garës ishte që secila skuadër të zhvillonte nga dy ndeshje vajtje-ardhje me secilën skuadër, pra gjithsejt 14 xhiro. Dy skuadrat e para në tabelë e sigurojnë biletën drejtpërdrejt për Final Four, ndërsa katër skuadrat tjera në renditje luajnë në çerekfinale për t’u siguruar dhe dy skuadra të tjera.


Golden Eagle Ylli dhe Peja ishin skuadrat më dominuese në ligë për t’u bërë skuadrat e para të katërshes finaliste, kurse kanë mbetur të zhvillohen edhe çerekfinalet e dyta ndërmjet: Prizreni-16 : Rahoveci si dhe Tirana : Teuta.
Ndeshjet e para çerekfinale i fituan Prizreni-16 dhe Teuta respektivisht, ndërsa të dytat zhvillohen më 6 prill në mbrëmje, kështu duke kompletuar katërshen finale të cilat do të garojnë për titull kampioni.
Final Four për këtë vit do të mbahet në Pejë, ashtu siç kanë njoftuar federatat sportive përkatëse, si dhe vetë KB Peja. Ndeshjet do të zhvillohen në datat 20 dhe 21 prill.

Lajme të ngjashme