Gjyqtari i finales: Dybala më falënderoi sikur ta kisha shënuar penalltinë fituese, Mbappe kishte nevojë për një përqafim ngushëllues
Gjyqtari polak, Szymon Marciniak, që gjykoi ndeshjen finale mes Argjentinës e Francës, ka treguar se Paulo Dybala e kishte falënderuar atë sikur të ishte ai që shënoi nga penalltia vendimtare, ndërsa për Kylian Mbappen tha se ai kishte nevojë për një përqafim ngushëllues.
41-vjeçari, i cili u bë gjyqtari i parë nga Polonia që gjykon një ndeshje finale të Botërorit. Ai në natën e 18 dhjetorit kishte shumë punë për të bërë, ku akordoi tre penallti dhe ndëshkoi tetë lojtarë, para se Argjentina në fund të triumfonte në penallti.
Marciniak me t’u kthyer në fshatin e lindjes, Slupno, foli për përvojën e tij në gjykimin e ndeshjes më të madhe në futbollin botëror.

“Ai [Dybala] filloi të më falënderonte sikur të kisha shënuar unë penalltinë vendimtare. Paulo ka gjyshen polake, dhe sa herë të jem përball tij, do të më thotë disa fjalë në polonisht. Sa herë kam gjykuar ndeshjet e Juventusit, sa ai luante aty, vinte për të folur”, tha Marciniak për Dybalan.
Gjyqtari polak i cili ka drejtuar tri ndeshje në Kupën e Botës në Katar, tha se Messi e falënderoi atë pas ndeshjes, teksa pranoi se ndeshja ishte shumë e vështirë për t’u mbajtur në kontroll.

Marciniak përqafoi Mbappen e shqetësuar për ta ngushëlluar pas një het-triku të sulmuesit francez që në fund doli të ishte i kotë. Hugo Lloris dhe Olivier Giroud ishin mes lojtarëve të tjerë francezë që treguan vlerësimin e tyre për Marciniak.

Marciniak gjithashtu mori përgjegjësinë për ndeshjen e fazës së grupeve midis Francës dhe Danimarkës, si dhe përballjen e 1/8 së finales midis Argjentinës dhe Australisë.
Paraqitja e tij në një finale kaotike tërhoqi lëvdata nga një numër i gjyqtarëve të tjerë, duke përfshirë Pierluigi Collina dhe Howard Webb.
