Gjykata e hedh poshtë ankesën e Vokrrit, i hap rrugë zgjedhjeve për president të FFK-së - NACIONALE

Gjykata e hedh poshtë ankesën e Vokrrit, i hap rrugë zgjedhjeve për president të FFK-së

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka hedhur poshtë si të pabazë ankesën e Gramoz Vokrrit ndaj zgjedhjeve për president të Federatës së Futbollit të Kosovës, duke i hapur rrugë mbajtjes së kuvendit zgjedhor më 6 prill.

Javën e kaluar, Vokrri e paditi në gjykatë Federatën e Futbollit të Kosovës, duke e akuzuar se e ka shkelur statutin e vet dhe ligjin për sport me shpalljet e zgjedhjeve për president për datën 6 prill, si dhe për rrëzimin e kandidaturës së tij për president, duke kërkuar që zgjedhjet të pezullohen.

Por ankesa e tij është vlerësuar si e pabazë nga gjykata, duke i hapur rrugë zgjedhjeve me një kandidat për shef të shtëpisë së futbollit në vend.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje civile, në çështjen juridike të propozuesit të masës së përkohshme të sigurimit G.V. kundër kundërshtarit të sigurimit Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka vendosur lidhur me Propozimin për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit. Gjykata me datë 01.04.2022 jashtë seancës gjyqësore ka marrë Aktvendim dhe ka refuzuar si të pabazuar Propozimin për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit të propozuesit G.V.”, ka thënë Gjykata Themelore në një përgjigje për Gazetën Nacionale.

Padia e tij vjen pasi një komision i FFK-së për verifikimin e kandidaturave dhe nënshkrimeve të kandidatëve për president, ia hodhi poshtë Vokrrit kandidaturën, duke u thirrur në, siç thotë, disa shkelje.

Komisioni i FFK-së pretendoi se ka gjetur se nënshkrimet që Vokrri i kishte siguruar nga FC Prishtina, FC Ulpiana dhe FC Kika janë të kontestueshme, duke mos i pranuar ato. Kjo ia bëri ta pamundur kandidimin atij dhe e ia hapi plotësisht rrugën presidentit të tanishëm Agim Ademi për ta kërkuar një mandat të dytë katërvjeçar i pa sfiduar.

Më 2 mars, FFK-ja i shpalli zgjedhjet e reja për 6 prill, duke iu dhënë kandidatëve të mundshëm jo më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitet programet e tyre. Ndaj FFK-së pati kritika dhe akuza se me këtë ajo e ka shkelur Nenin 39 të Statutit të federatës, i cili thekson se kuvendi zgjedhor për emërimin e presidentit të FFK-së duhet të thirret dy muaj më herët.

Ministria e Sportit po ashtu e akuzoi FFK-në se e ka shkelur ligjin për sport dhe statutin e vet duke i thirrur zgjedhjet për 6 prill.

Siç qëndrojnë gjërat, Ademi do të rizgjidhet president edhe për katër vite të tjera dhe do ta ulët përsëri në bankën e të akuzuarit edhe në mandatin e tij të dytë si shef i futbollit në vend.

Sepse 60-vjeçari është në pritje të një seance gjyqësore në rigjykim për veprën penale detyrim në tentativë, e cila nuk ka të bëjë me futbollin, për të cilën ishte dënuar me 9 muaj burgim efektit nga Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit në vitin 2019, para se Gjykata Supreme ta shfuqizonte verditkin ndaj tij, duke urdhëruar që gjykimi për këtë rast të nisë nga fillimi, pra nga shkalla e parë.

Javë më parë Ademi u mbajt një natë në stacionin policor në Prishtinë si i dyshuar për sulm fizik ndaj Artan Govirit, zyrtarit për marrëdhënie me jashtë në FFK.

Lajme të ngjashme