Gjobë dhe pezullim për Ronaldon, pasi ia theu telefonin tifozit
Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, raportohet se është dënuar me gjobë prej 58 mijë euro dhe dy ndeshje pezullim nga Federata Angleze e Futbollit, pasi theu telefonin e një tifozi më herët gjatë këtij viti.
Pas humbjes së Manchester United ndaj Evertonit në Goodison Park sezonin e kaluar, Ronaldo u duk se goditi dorën e Jacob Harding ndërsa ai hyri në tunel, duke dëmtuar telefonin e djalit.
FA tani ka përfunduar hetimin e tyre dhe i ka dhënë Ronaldos një gjobë të madhe si dhe një pezullim, siç raportohet nga The Mirror.
Ndërsa hetimi po vazhdonte gjatë muajve të kaluar, ishte raportuar se Ronaldo do ta pranojë fajin për sjellje të pahijshme, por ishte i vendosur të luftonte që të mos merrte një pezullim me ndeshje.
Tashmë që ai është pezulluar, mbetet për t'u parë nëse do ta kundërshtojë dënimin e dhënë.
Akuza vjen vetëm një ditë pasi ai përfundoi periudhën e tij të dytë në United pas intervistës së tij bombë me Piers Morgan, ku ai kritikoi klubin.
United njoftoi se kontrata e Ronaldos ishte ndërprerë me 'pëlqim të ndërsjellë' të martën në mbrëmje.
Teksa gjobën i duhet ta paguajë, pezullimi me ndeshje mund të mos realizohet kurrë nëse Ronaldo nuk e vazhdon karrierën e tij në Premierligë.
Pas këtij veprimi të bërë në Goodison Park në prill, 37-vjeçari postoi në faqen e tij zyrtare në Instagram një kërkim falje për gjestin e bërë.
“Asnjëherë nuk është e lehtë të përballosh emocionet në qaste të vështira, siç përballemi ne”, shkroi ai.
“Megjithatë, ne duhet të jemi gjithmonë të respektueshëm, të durueshëm dhe të japim shembullin për të gjithë të rinjtë që e duan lojën e bukur.
“Do të doja të kërkoja falje për shpërthimin tim dhe, nëse është e mundur, do të doja ta ftoja këtë mbështetës të shikojë një ndeshje në Old Trafford si shenjë e lojës së ndershme dhe sportivitetit”, përfundoi ai.

37-vjeçari u intervistua nga policia në lidhje me sulmin dhe dëmtimin e dyshuar kriminal dhe mori një paralajmërim për sjelljen e tij.
Ronaldo gjithashtu kërkoi t'i kërkonte falje Hardingut personalisht, por nëna e djalit 14-vjeçar autik Sarah Kelly refuzoi, duke çuar në një telefonatë 10-minutëshe, me Kelly që më vonë e quajti yllin portugez si 'arrogant'.

“Ai më pyeti nëse do të doja të zbres dhe të takoja familjen e tij”, tha ajo për The Mirror. Ai tha: "Unë nuk jam një baba i keq". Unë i thashë: "Kurrë nuk kam thënë se je baba i keq".
Sarah e përshkroi Ronaldon si "njeriun më arrogant me të cilin kam folur ndonjëherë.
Nëna e tifozit atë kohë tha se ajo planifikoi të ndërmarrë veprime ligjore kundër yllit.

