“Gjithçka do të shkojë mirë” – Xavi zbulon se Messi vendos javën e ardhshme për të ardhmen
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka thënë se Lionel Messi do të vendosë javën e ardhshme se ku do ta vazhdojë karrierën, duke e përsëritur se klubi katalonas dëshiron të nënshkruajë me të patjetër.
Messi, 35 vjeç, do ta luajë ndeshjen e fundit për Paris Saint-Germainin të shtunën para se të largohet nga klubi si lojtar i lirë pas dy viteve në Paris.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë është duke e vlerësuar edhe një ofertë tejet të majme nga klubi i Arabisë Saudite, Al Hilal.
Interi Miami nga Major League Soccer dhe Barcelona e dëshirojnë atë po ashtu.
“Javën e ardhshme ai do të vendosë dhe ju (mediat) duhet ta lini atë të qetë”, tha Xavi, i cili kishte luajtur përkrah Messit në Barçë, të premten në një intervistë për Mundo Deportivo.
“Ai do ta mbarojë sezonin atje (në PSG). Ai ka shumë respekt për Paris Saint-Germainin. Ai dëshiron ta përfundojë në mënyrën më të mirë. Marrëveshja e tij mbaron dhe pastaj, ai ka çdo të drejtë në botë të thotë se ku dëshiron të shkojë dhe ku dëshiron ta përfundojë karrierën”, shtoi Xavi.

Messi i kaloi 21 vite në Barçë dhe i ndihmoi klubit t’i fitojë 35 trofe por u largua në drejtim të PSG-së në gusht të vitit 2021 për shkak të telasheve financiare të klubit.
Sulmuesi argjentinas kontribuoi me 21 gola dhe 20 asiste për PSG-në në të gjitha garat këtë sezon.
“Mendoj se ai ende ka aftësi të luajë futboll në nivelin më të lartë dhe nëse vjen në Barçë, gjë të cilën e dëshirojnë shumica e katalonasve, posaçërisht trajneri, dyert janë të hapura”, këmbënguli ai.
“Jam i bindur se do të shkojë mirë”.
Në dhjetor, Messi e frymëzoi Argjentinën drejt fitimit të Kupës së Botës 2022 në Katar, duke i dhënë fund pritjes së gjatë për trofeun që i kishte munguar aq shumë në karrierë.
