Galtier e konfirmon largimin e Messit nga PSG-ja: Pata nderin ta stërvit më të mirin në histori
Sulmuesi argjentinas Lionel Messi do ta luajë ndeshjen e fundit në karrierë për Paris Saint-Germainin kundër Clermont të shtunën mbrëma, ka konfirmuar të enjten trajneri Christophe Galtier.
"Kam pasur nderin ta ushtroj lojtarin më të mirë në historinë e futbollit. Kjo do të jetë ndeshja e tij e fundit në Parkun e Princave dhe shpresoj se ai do të pritet shumë ngrohtë", tha Galtier në konferencë për media të enjten.
Messi, i cili i shënoi 21 gola dhe 20 asiste për PSG-në në të gjitha garat këtë sezon, iu bashkua klubit nga kryeqyteti francez në vitin 2021 nga Barcelona në një marrëveshje dyvjeçare.
Galtier e mbrojti 35-vjeçarin nga kritikat e vazhdueshme, duke thënë se ato kanë qenë të paarsyeshme këtë sezon, duke parë paraqitjet e tij të mira.
"Këtë vit, ai ka qenë pjesë e rëndësishme e ekipit, gjithmonë i gatshëm. Mendoj se komentet apo kritikat ndaj tij nuk janë të arsyeshme", theksoi ai.
"Ai gjithmonë ka qenë aty për ekipin. Ka qenë privilegj i madh ta shoqëroja atë gjatë gjithë sezonit", shtoi Galtier.
E ardhmja e argjentinasit në PSG ka qenë temë thashethemesh vazhdimisht këtë sezon, me oferta nga Arabisa Suadite, MLS-ja dhe Barcelona në tavolinë për të.
