Gjilani triumfon ndaj Ballkanit, fiton edhe Llapi - NACIONALE

Gjilani triumfon ndaj Ballkanit, fiton edhe Llapi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjilani e ka fituar në minutën e fundit derbin ndaj Ballkanit, derisa Llapi i ka arkëtuar pikët e plota në udhëtim te Feronikeli ’74.

“Skifterët” morën një fitore të madhe me përmbysje nga 0:1 në 2:1.

Ballkani ishte skuadër më e mirë në fillim, duke dominuar në pjesën më të madhe të kohës.

Bleart Tolaj me një gol të bukur i dha epërsinë mysafirëve pas asistimit të brazilianit Queven Inacio (41’).

Sidoqoftë, Gjilani u këndell në pjesën e dytë. Fillimisht Senad Jarovic shënoi nga pika e bardhë për ta barazuar rezultatin (63’).

Ndërsa, në minutën e fundit – Jarovic realizoi me kokë për ta përmbysur epërsinë pas harkimit të Kushtrim Shabanit (90+4’).

Ballkani kësisoj nuk e shfrytëzoi rastin për t’iu afruar Dritës, duke qëndruar në pozitën e dytë me 36 pikë, tetë pikë më pak se “Intelektualët”, derisa Gjilani renditet në pozitën e pestë me 27 sosh.

Ndërkohë, Llapi është kthyer te fitoret me një triumf 0:3 në Drenas ndaj Feronikelit ’74.

Valmir Veliu me një gol të bukur i dha epërsinë Llapit pas vetëm 10 minutave lojë.

Ndërsa, ishte Armend Halili që shënoi autogol duke dyfishuar epërsinë për mysafirët (62’).

Fitoren e Llapit e vulosi Veliu, për të cilin ishte goli i dytë personal në takim (66’).

Llapi qëndron në pozitën e parafundit me 21 pikë ndërsa Nikli renditet në fund me 10 sosh.

Lajme të ngjashme