Gjermania e dominon Skocinë në ndeshjen hapëse të EURO 2024, shkëlqejnë Musiala e Havertz - NACIONALE

Gjermania e dominon Skocinë në ndeshjen hapëse të EURO 2024, shkëlqejnë Musiala e Havertz

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Gjermanisë ka shënuar fitore të thellë në ndeshjen hapëse të EURO 2024, duke mposhtur 5:1 Skocinë, në një ndeshje ku shkëlqyen Kai Havertz e Jamal Musiala.

Gjermania është mikpritëse e edicionit të 17-të të Kampionatiti Evropianit dhe pavarësisht presionit të nikoqirit, ata e kanë filluar në mënyrën më të mirë rrugëtimin drejt finalës së madhe të 14 korrikut.

Skuadra e Julian Nagelsmann e dominoi tërësisht takimin në Allianz Arena, si në posedim ashtu edhe në raste të krijuara.

Goli i parë i takimit u shënua vetëm pas 10 minutave lojë. Ishte Florian Wirtz që shënoi gol të bukur për 1:0, i asistuar nga Kimmich.

Vetëm nëntë minuta më vonë, më saktësisht në minutën e 19-të, Jamal Musiala me goditje të fortë, shënoi gol fantastik për 2:0, e kësaj radhe Havertz ishte në rolin e asistuesit.

Gjermania shënoi edhe një gol deri në fundin e pjesës së parë. Porteous bëri një ndërhyrje brutale në Gundogan, me gjyqtarin francez Turpin që pas rishikimit në VAR, e ndëshkoi atë me karton të kuq dhe akordoi penallti.

Kai Havertz ishte i saktë në minutën e fundit të pjesës së parë, duke shënuar për 3:0.

Pjesa e dytë filloi më qetë. Gjermania sulmonte vazhdimisht, por goli i radhës erdhi vetëm në minutën e 68-të, kur Niclas Fullkrug, me goditje të fuqishme, shënoi për 4:0.

Krejt çfarë arriti Skocia të bënte në këtë ndeshje, ishte një gol në minutën e 87-të, por edhe ai nuk erdhi nga lojtarët skocez, por nga Antonio Rudiger që shënoi autogol për 4:1.

Për rezultatin përfundimtar 5:1 shënoi Emre Can në minutat shtesë të takimit.

Kështu, Gjermania e fiton ndeshjen hapëse të Evropianit, me rezultat bindës ndaj Skocisë, të dy këto skuadra pjesë të grupit A.

Ndeshja tjetër e këtij grupit zhvillohet nesër. Hungaria përballet me Zvicren me fillim nga ora 15:00.

Lajme të ngjashme