Giresse tregon pse s’e ftoi Ermal Krasniqin në vend të të lënduarit Rashani
Trajneri i Kosovës, Alain Giresse, ka thënë se Ermal Krasniqi është në listën e pritjes dhe se mund të ftohet nëse detyrohet ta zëvendësojë një lojtar tjetër.
Elbasan Rashani nuk ia doli t’i bashkohej grumbullimit të Kosovës për shkak të një lëndimi.
Giresse tha të hënën në një konferencë për media në Prishtinë se ka vendosur të mos e zëvendësojë atë me ndonjë sulmues të ri.
I pyetur pse s’u ftua Krasniqi i Cluj, Giresse tha: “Ermal Krasniqi është në paralistë. Mbetet të shihet. Kemi disa lojtarë që nuk po ndihen mirë si Arbnor Muja, mbetet të shihet. Ndoshta edhe ftohet.”
Krasniqi ishte mungesa ngriti më së shumti pikëpyetje në listën e trajnerit francez të premten, pasi ish-ylli i Ballkanit është duke shkaktuar stuhi me Cluj në futbollin rumun.
Për më tepër, Krasniqi shkëlqeu me dy gola e një asist në Ligën e Konferencës sivjet, dhe pati paraqitje mbresëlënëse edhe kundër Lazios përkundër eliminimit të Cluj.
Por Giresse këmbënguli se ai nuk e shikon vetëm formën e lojtarit, por më shumë ligën në të cilën laun.
“Me rëndësi për neve është niveli i kampionatit ku ata luajnë, jo vetëm minutat sa luajnë. Ne nuk kemi kohë dhe guxim të bëjmë prova me lojtarë të rinj. E kemi një sy të këta lojtarë, do të tentojmë t’i marrin në kombëtare në mënyrë progresive”, shtoi ai.