Giresse e publikon listën e tij të parë si trajner i Kosovës për ndeshjet e marsit - NACIONALE

Giresse e publikon listën e tij të parë si trajner i Kosovës për ndeshjet e marsit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Alain Giresse e ka publikuar listën e tij të parë si trajner i Kosovës me futbollistët që i ka ftuar për ndeshjet miqësore të këtij muaji, kundër Burkina Fasos dhe Zvicrës.

Kosova e pret Burkina Fason më 24 mars në Prishtinë, para se të udhëtojë drejt Zurich për t’u përballur me Zvicrën për herë të parë.

Verdhekaltrit do të grumbullohen pas ndeshjeve me ekipet e tyre këtë fundjavë dhe do të stërvitin për herë të parë nën urdhrat e trajnerit francez të hënën pasdite.

Arbër Zeneli mungon për shkak se dyshohet të jetë lënduar në stërvitje me skuadrën e tij Stade de Reims, ndërsa Valon Berisha ia ka dalë, duke e lënë mbrapa lëndimin.

Mungesë tjetër e theksuar në listën e Giresse është edhe Bersant Celina i Ipswitch Town, për të cilin raportohet se e ka refuzuar ftesën për këto miqësore, duke u përqendruar në ndeshjet e rëndësishme të klubit nga kategoria e tretë e futbollit anglez.

Giresse u pa në mes javë në Podujevë duke e shikuar ndeshjen mes Llapit dhe Gjilanit në Kupën e Kosovës, por ai nuk e ka ftuar asnjë lojtarë të Superligës për këto miqësore.

Këto do të jenë dy ndeshjet debutuese për trajnerin 69-vjeçar në stolin e Kosovës.

Ai do ta ketë mundësinë të njihet me futbollistëve verdhekaltër me kohë para ndeshjeve të Kosovës në Ligën e Kombeve në qershor.

Kosova është pjesë e Ligës C të Ligës së Kombeve në një grup me Greqinë, Irlandën Veriore dhe njërën mes Qipros dhe Estonisë.

Lajme të ngjashme