Giresse e publikon listën e Kosovës për ndeshjet e qershorit, me prurje të reja
Trajneri Alain Giresse e ka publikuar listën me 24 futbollistë të ftuar për ndeshjet e Kosovës në Ligën e Kombeve gjatë muajit të ardhshëm.
Trajneri francez i ka ftuar Edvin Kurtulusin e Hammaarbay dhe Donat Rrudhanin e Aarau për herë të parë.
Lista në përgjithësi nuk ka pësuar shumë të mëdha dhe Kosova nuk do të përballet me ndonjë mungesë të madhe për ndeshjet e para zyrtare të Giresses në stolin dardan.
Benjamin Kololli është kthyer në grumbullim për herë të parë këtë vit, megjithëse nuk ka qenë shumë aktiv me skuadrën e tij Shimizu S-Pulse në J1 League në Japoni dhe vjen pas riaftësimit nga lëndimi.
Rikthimi i Arbër Zenelit po ashtu është një plus i madh për Kosovën, pasi sulmuesi i Stade de Reims është riaftësuar plotësisht nga lëndimi i gjurit që e kishte lënë jashtë Kombëtares në dy vitet e fundit dhe ai duket ta ketë gjetur formën tamam kur vendi i tij mund të ketë nevojë për të.
Leart Paqarada nuk është ftuar ashtu siç pritej, ndërsa jashtë listës kanë mbetur sulmuesi i Hammaarby Astrit Selmani., Florent Hadergjonaj i Kasimpasas dhe Elbasan Rashani i Clermont.

Kosova do t’i zhvillojë katër ndeshje në një periudhë dhjetëditore në qershor, me 69-vjeçarin Giresse që do të debutojë në stolin dardan në ndeshje zyrtare.
Giresse debutoi për Kosovën në ndeshje jo garuese në mars, duke lënë mbresa pasi Kosova e mundi 5:1 Burkina Fason dhe barazoi 1:1 me Zvicrën.
Por detyra e tij e vështirë do të nisë vetëm tani në qershor, kur Kosova e viziton Qipron më 2 qershor, para e ta presë në Prishtinë Greqinë më 5 qershor dhe Irlandën e Veriut katër ditë më vonë, në tri ndeshjet e para në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.
Më 12 qershor, verdhekaltrit do ta vizitojnë Athinën për t’u përballur me Greqinë në ndeshjen e kthimit.
Giresse do ta grumbullojë ekipin kombëtar dardan më 27 maj dhe do t’i ketë më pak se një javë për t’i stërvitur para ndeshjes së parë në grup.