Gerrard: Ronaldo më i miri në histori, e ndryshoi futbollin në Arabinë Saudite
Legjenda e Liverpoolit, tani trajner i Al Ettifaq Steven Gerrard e ka vlerësuar Cristiano Ronaldon si më të mirin në histori, duke thënë se kalimi i tij në Arabinë Saudite nisi një epokë të re.
Pas ardhjes së pesë herë fituesit të Topit të Artë në Arabi, shumë yje përfshirë Neymar, Karim Benzema, Riyad Mahrez, N’Golo Kante e shumë të tjerë ndoqën këtë rrugë duke e bërë kampionatin mjaftë interesant.
I pyetur se si e mori drejtimin e Al Ettifaq, ish mesfushori anglez deklaroi se vendosi ta përcjellë ligën që kur Ronaldo iu bashkua Al Nassr.
“Mendoj se kur GOAT (Lojtari më i mirë në histori) arriti në janar, ishte një marrëveshje e madhe. Ai ka ende shumë për t’i ofruar futbollit. Pas arritjes së Cristiano Ronaldos, brenda pesë apo gjashtë muajve e pamë që u rrit popullariteti i ligës dhe lojtarët e tjerë iu bashkuan në Arabinë Saudite”.
“Diferenca mes kampionatit më parë dhe pas arritjes së Ronaldos është shumë e qartë dhe isha shumë i lumtur me ftesën e Al Ettifaq për t’u përmirësuar si trajner, diçka që e dua shumë”.
“Është pjesë e punës sime”.
Ronaldo po vazhdon të mahnitë të gjithë, derisa tani synon të shënojë gol ndaj Islandës.