“Gënjeshtra”, Mikel Arteta mohon largimin e mundshëm nga Arsenali
Trajneri i Arsenalit Mikel Arteta i ka mohuar lajmet e djeshme se ka kërkuar të largohet në fundin e sezonit.
Mediumi katalunas “Sport” raportoi se tekniku spanjoll ka njoftuar disa nga miqtë e tij se do të largohet në fundin e sezonit, me Barcelonën si destinacioni i radhës.
Megjithatë, Arteta në konferencë për shtyp para përballjes së radhës ka konfirmuar se të gjitha këto spekulime janë thjesht gënjeshtra dhe s’ka asgjë të vërtetë.
“Lajme të pavërteta. Totalisht të pavërteta. As nuk e di nga erdhën. Nuk ka asgjë të vërtetë”.
“Jam vërtet i zemëruar për këto. Nuk mund ta besoj. S’ka burime, asgjë të vërtetë”, deklaroi shkurtimisht ai.
Arteta është duke u konsideruar ndër kandidatët kryesor për ta drejtuar Barcelonën në sezonin tjetër pasi Xavi Hernandez e njoftoi largimin.
Mirëpo, në listën e shkurtër të Barcelonës gjenden edhe emra tjerë të mëdhenj si Hansi Flick, Thomas Tuchel, Jurgen Klopp dhe Luis Enrique, edhe pse shumica prej tyre vlerësohen si të “pamundur për t’i siguruar”.
Barcelona këtë sezon ka qenë e tmerrshme në aspektin sportiv, fillimisht e humbi Superkupën e Spanjës nga rivali Real Madrid, pastaj u eliminua nga Kupa e Mbretit, është 10 pikë prapa Realit në La Liga, kësisoj mënyra e vetme që të mbyllin sezonin me trofe është Liga e Kampionëve.
Në këtë kompeticion gjendet edhe Arsenali i Artetas, që do të përballet me Porton në raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve.