Gazetari Sadiku: Aro Muric, Zhegrova e Muslija ftohen te Kosova për dy ndeshjet e tetorit - NACIONALE

Gazetari Sadiku: Aro Muric, Zhegrova e Muslija ftohen te Kosova për dy ndeshjet e tetorit

1 javë më parë

nga NACIONALE

Tre lojtarët që u përjashtuan në muajin shtator Edon Zhegrova, Aro Muric e Florent Muslija janë ftuar te Kosova për dy ndeshjet e muajit tetor, kështu së paku raporton gazetari Arlind Sadiku.

Përzgjedhësi Franco Foda është duke vazhduar të dërgojë ftesa për dy ndeshjet që “Dardanët” i zhvillojnë në tetor, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Tekniku gjerman mesa duket ka vendosur t’i lërë prapa ato që ndodhën muajin e kaluar, dhe i ka ftuar tre yjet për përballjet ndaj Lituanisë, respektivisht Qipros.

Aro Muric, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija janë ftuar te Kosova për ndeshjet e tetorit me Lituaninë dhe Qipron”, raporton ndër të tjera Sadiku.

Çka ndodhi?

FFK ose përzgjedhësi Foda vendosën të përjashtojnë lojtarët pas humbjes nga Rumania, shkaku që të tre kishin dalë për darkë dhe nuk janë kthyer në hotel në kohë, pavarësisht që mediat lokale i akuzuan se ishin në diskotekë.

FFK-ja, më saktësisht kryetari Agim Ademi publikisht deklaroi se ishte vendim plotësisht i Fodas, megjithatë Zhegrova e qiti në “rrenë” këtë të fundit, duke treguar se u përjashtuan shkaku i vendimit të Federatës.

“Asgjë e madhe. Isha vonë në një takim grumbullues. Mendoj se nuk ishte trajneri ai që mori vendimin, por Federata dhe kjo ishte arsyeja pse ishte pak nervoz. Pastaj janë disa njerëz që nuk ju pëlqejnë dhe përpiqen të thonë gjëra jo të vërteta për ty, apo gjëra të këqija. Unë e njoh veten time, sesa profesional jam dhe pasi i shikova disa lajme se isha jashtë në klube nate apo gjëra si këto, por unë nuk jam kështu, sepse nëse dua të shkoj të gjithë do ta dinë, por nuk kishte foto apo diçka e tillë për mua. Pra janë të gjitha lajme të rreme, por gjëja më e keqe është që trajneri nuk mori vendim, por Federata. Kur je vonë në një takim, trajneri duhet të vendosë dhe jo Federata, por tani është në rregull, diçka që ka ndodhur dhe nuk ka rëndësi për mua”, kishte deklaruar ai në konferencë për shtyp.

Sidoqoftë, duket se të gjitha palët kanë lënë prapa tërë këtë incident të ndodhur dhe do të fokusohen te kombëtarja e Kosovës, e cila do të zhvillojë dy përballje të rëndësishme.

Fillimisht, “Dardanët” janë mysafir i Lituanisë më 12 tetor, kurse tre ditë më vonë e presin Qipron në Prishtinë.

Lajme të ngjashme