Gazeta e madhe turke: Vedat Muriqi rikthehet në verë te Fenerbahce
Sulmuesi i Mallorcas Vedat Muriqi pritet të rikthehet te Fenerbahce në verë, kështu së paku raporton gazeta e madhe turke “Aksam”.
Fenerbahce e ka bërë prioritet transferimin e yllit kosovar për ta zëvendësuar sulmuesin aktual Edin Dzeko.
Gjithnjë në bazë të raportit, Muriqi ka dhënë “dritën jeshile” për një transferim të tillë, megjithatë nuk do të ndërhyjë në negociata – pra nuk do t’i bëjë presion Mallorcas për ta lejuar por do të pret që dy klubet të gjejnë “gjuhën e përbashkët”.
Për t’ia liruar vendin Muriqit, Dzeko pritet të largohet në fundin e sezonit dhe t’i bashkohet ndonjë klubi nga Arabia Saudite, ngase ka marrë disa oferta.
Kontrata e boshnjakut skadon në verën e vitit 2025, andaj Fenerbahce do të tentojë të fitojë sa më shumë para që të investojë te Muriqi.
Mallorca e vlerëson kosovarin rreth 15 milionë euro dhe nuk preferon ta shesë ngase është lojtari kyç që e ndihmoi të arrinte deri në finalen e Kupës së Mbretit.
Muriqi ndër të tjera ende nuk ka reaguar lidhur me këtë spekulime, veçse javë më parë ka thënë se është i hapur për t’u pensionuar te skuadra spanjolle.