“Gabuam taktikisht, ishin favorit”, Ilir Daja komenton eliminimin nga Liga e Kampionëve
Trajneri i Ballkanit Ilir Daja thotë se gabuan taktikisht pas humbjes nga Ludogorets.
Pavarësisht fitores 2:0, klubi bullgar triumfoi 4:0 në ndeshjen kthyese për të siguruar avancimin në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Për dallim nga ndeshja në Prishtinë, Ballkani nuk arriti të tregojë ndonjë gjë me një paraqitje të dobët.
Pas ndeshjes, edhe vetë trajneri Daja e ka pranuar se kanë bërë gabime taktike, duke pësuar gol në minutat e parë, por shtoi se Ludogorets ishte favorit edhe pa nisur ndeshja.
“Pa filluar ndeshja e parë Ludogorets ishte favorit. Neve na u rriten pritshmëritë në atë lojë shumë të mirë që bëmë në Prishtinë, kundër një ekipi që ka një buxhet goxha të madh”.
“Ne sonte ia filluam shumë keq ndeshjes, ku qysh në minutat e para pësuam gol. Sigurisht që kjo për meritë të kundërshtarit sepse ne ramë në presionin e tyre. Nuk u përshtatem me lojën me presion që bën ata. Ishim gabim taktikisht”.
“Armend Thaqi dhe Gripshi kanë sakrifikuar duke luajtur të sëmurë (ishin me temperaturë). I falënderoj të dy lojtarët për sakrificën e bërë”.
“Besoj që pastaj kemi shënuar dy gola vetë, me gabime individuale të mbrojtësve. Ekipi duhet të mbajë kokën lartë sepse Ludogorets është përpara në të gjitha nivelet. Nëse duam t’iu afrohemi atëherë duhet përmirësime në infrastrukturë”, deklaroi ai.
Tani Ballkani ende mund ta sigurojë pjesëmarrjen në grupet e kompeticioneve evropiane, meqenëse do ta vazhdojë garën në rrethin e dytë kualifikues për Ligën e Konferencës.
Kujtojmë, “Xhebrailat” edicionin e kaluar bën historinë duke e mbërritur fazën grupore, gjë që synojnë ta përsërisin këtë vit.
