Gabon Manchester United, Leeds del me pikë në “Old Trafford”
Manchester United ka barazuar 2:2 kundër Leeds. Një barazim ky në Premierligë që ia ndërlikon punët “Djajve të Kuq” në vazhdim të sezonit.
Rezultati i tretë negativ në katër ndeshjet e fundit në Premierligë erdhi sot për Manchester United. Skuadra nga “Old Trafford” po i ripërsërit hapat falsë në kampionati anglez.
Gjithçka nisi keq në sfidën e sontme kundër Leeds. Përfaqësuesi italian Gnonto kaloi qysh në minutën e parë mysafirët në epërsi. Një goditje e bukur fare pak metra larg vijës së 16-metërshit zuri në befasi portierin De Gea.
Edhe pse Leeds u përball me dy lëndime në pjesë të parë (Sinisterra dhe Struijk), me ç’rast bëri edhe bëri dy zëvendësime të detyrueshme (Summerville dhe Firpo) – prapëseprapë ia doli të ishte skuadër e organizuar mirë në fushë.
Këtë e dëshmoi në pjesën e dytë, kur pas një dalje të mirë në sulm, gjeti edhe golin e dyfishimit të epërsisë. Edhe pse u nevojitën paksa dromca fati, pasi Varane futi topin në rrjetë duke shënuar autogol në minutën e 48-të.
Skuadra mysafire filloi të tregojë shenja rikëndellje pas ndryshimit që kanë bërë në stafin teknik me shkarkimin e Marsch. Sot, skuadrën e drejtoi Skubala.
Manchester United u mundua të mos dorëzohej. Vendësit shënuan golin e ngushtimit të epërsisë përmes Rashford. Sulmuesi anglez në minutën e 62-të shënoi në formë të përsosur me kokë, duke lënë të fjetur portierin rival.
Ndërkaq tetë minuta më vonë “Djajtë e Kuq” shënuan edhe golin e dytë dhe atë të barazimit. Sancho pasi pranoi topin në zonë të rreptësisë, goditi drejt portës, duke shënuar për 2:2. Duhet theksuar se në këtë rast reagimi i portierit Meslier nuk ishte prej më të mirëve, meqë goditja ishte relativisht e butë.
Përkundër orvatjes për ta shënuar golin e përmbysjes së rezultatit, skuadra e drejtuar nga Ten Hag u desh të pajtohet me një tjetër barazim të hidhur në kampionat.
Manchester United për momentin zë pozitën e tretë tabelore me 43 pikë të tubuara. Distanca me Newcastle dhe Tottenham që janë skuadrat që qëndrojnë mbrapa në renditje tabelore nuk është aspak e madhe.

Ndërkaq Leeds falë pikës që arkëtoi në “Old Trafford” tani del në pozitën e 16-të tabelore me 19 pikë të grumbulluara deri në këtë pjesë të sezonit.
Raporti i ndeshjes Manchester United - Leeds:
