Futbolli zviceran në zi, vdes futbollisti 25-vjeçar gjatë kohës sa po notonte - NACIONALE

Futbolli zviceran në zi, vdes futbollisti 25-vjeçar gjatë kohës sa po notonte

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Elia Alessandrini ka ndërruar jetë në rrethana të trishta. Futbollisti zviceran 25-vjeçar i Stade-Lausanne teksa po qëndronte në pushime gjeti vdekjen, për shkak të një sëmundje.

Njoftimin për vdekjen e tij e kumtoi edhe Federata e Futbollit të Zvicrës, e cila me pikëllim njoftoi opinionin publik për rastin tragjik që ka ndodhur.

“Federata e Futbollit të Zvicrës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të afërmit dhe familjen e futbollistit”, shkruhet në komunikatën e saj.

Disa medie në Zvicër raportojnë se gjithçka ka ndodhur gjatë kohës sa i ndjeri ishte duke shijuar pushimet dhe ishte duke notuar.

Në atë moment ai ka ndier një dhimbje, e cila pastaj i ka kushtuar me vdekje. Gjithsesi, këto janë informata paraprake që vijnë nga mediet e informimit në Zvicër.

Akoma nuk janë dhënë shpjegime zyrtare në lidhje me rastin në fjalë se si ka ndodhur dhe cilat kanë qenë rrethanat që kanë shtyrë drejt një vdekje të tillë.

Ishte ish-klubi i tij Kriens ai që i pari shprehu ngushëllimet: “Jemi pa fjalë dhe po vajtojmë vdekjen e Elia Alessandrini, ish-bashkëlojtarin tonë të skuadrës, kapitenin dhe shokun tonë. Mendimet tona shkojnë për familjen dhe miqtë e tij. Pusho i qetë i dashur Elia.”

Karriera e Alessandrinit

Alessandrini ishte futbollist i grupmoshave të kombëtares helvete. Ai në tërësi ka zhvilluar 20 ndeshje në arenë ndërkombëtare me Kombëtaren e Zvicrës nga grupmoshat U15 deri te ajo U20.

Si mbrojtës së pari karrierën e zhvilloi në Young Boys. Debutoi në Superligën zvicerane në sezonin 2017/2018 me klubin e Thun. Pastaj kaloi në një divizion më poshtë, në atë të Challenge League, ku u paraqit në 84 ndeshje në katër vjet e gjysmë me klubet e Chiasso dhe Kriens.

Tek këta të fundit ka qenë edhe kapiten. Ndërkaq në verën e këtij viti kishte vendosur që ta provonte edhe një përvojë të re, duke u transferuar te Stade-Lausanne.

Një vdekje e tillë e parakohshme ka tronditur futbollin zviceran, me ç’rast edhe telegramet e ngushëllimeve kanë qenë të shumta.

Lajme të ngjashme