Fushë Kosova e arrin fitoren e parë në Superligë, e mposht Gjilanin në ndeshjen e mbetur nga xhiroja e parë - NACIONALE

Fushë Kosova e arrin fitoren e parë në Superligë, e mposht Gjilanin në ndeshjen e mbetur nga xhiroja e parë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Fushë Kosova ka arritur të arkëtojë pikët e plota për herë të parë në sezonin e sivjetshëm të Superligës së Kosovës, duke mposhtur Gjilanin me rezultat 2:0, në ndeshjen e mbetur nga xhiroja e parë.

Përballja Fushë Kosova – Gjilani, nuk ishte zhvilluar në javën e parë, për shkak të problemeve në organizim të ‘Skifterëve’ dhe si datë e lirë u gjend ajo e sotshmja, me skuadrat tjera që janë në pushimin e dedikuar për ndeshjet e kombëtareve të muajit tetor.

Kjo përballja u zhvillua në Lipjan, në stadiumin Sami Kelmendi.

‘Pampurat’ deri më sot, në tetë ndeshje të zhvilluara, nuk dinte për fitore, me vetëm dy barazime të arritura, ndërsa Gjilani po qëndronte paksa më mirë, me dy fitore, dy barazime e katër humbje në po aq ndeshje.

Dy gola nga i njëjti futbollist e vendosen fatin e takimit.

Ishte Urim Statovci që fillimisht kaloi vendasit në epërsi në minutën e 39-të me golin e shënuar nga penalltia për 1:0, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Po i njëjti shënoi edhe për epilogun final të takimit. Statovci shënoi me kokë, pas një harkimi nga Dorent Hajdari për rezultatin 2:0.

Me tre pikët e para të arritura, Fushë Kosova vazhdon të mbetet në vendin e fundit në tabelë, tani me pesë pikë të grumbulluara në nëntë ndeshje, teksa afër saj ka Lirinë me gjashtë pikë dhe Gjilanin me tetë pikë, të gjitha këto në zonën e rrezikshme.

Lajme të ngjashme