Franco Foda e komenton shortin: Do të bëjmë gjithçka për të kaluar në Ligën B
Kombëtarja e Kosovës tani ka mësuar kundërshtarin e saj në play-off të Ligës së Kombeve, për promovim në Ligën B.
Dardanët do të përballen me Islandën në dy ndeshje gjatë muajit mars të vitit 2025 (20 dhe 23 mars), ku fituesi kalon në Ligën B dhe humbësi në Ligën C.
Pas shortit që u tërhoq në Zurich të Zvicrës, trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, u shpreh duke thënë se do të bëjnë gjithçka që të kalojnë në Ligën B.
"Nuk kishim asnjë dëshirë në shortin e hedhur. Por tani jemi të lumtur për ndeshjen kundër Islandës. Unë personalisht nuk kam qenë kurrë në Islandë, por Islanda ka një skuadër shumë të fortë, por edhe ne me Kombëtaren tonë jemi aktualisht në një formë shumë të mirë, në një gjendje të mirë. Mendoj se shanset janë 50 me 50 dhe do të bëjmë gjithçka për të kaluar në Ligën B."
Për shortin foli edhe Agim Ademi, president i Federatës së Futbollit të Kosovës, ku tha se Kosova ka potencial dhe skuadër për të kaluar në Ligën B.
"Shortin e konsideroj korrekt, edhe pse me Islandën kemi zhvilluar dy ndeshje, ku kemi humbur, por tani është formë tjetër e ekipit tonë. Unë uroj që vetëm lojtarët tanë të jenë me kondicion të mirë, me shëndet të mirë, të mos ketë të lënduar dhe sigurisht as të dënuar me kartona dhe shpresoj e besoj shumë se në mars do të fillojmë me fitore në ndeshjen e parë dhe sigurisht që do të shkojmë vetëm për fitore. Kosova ka ekip dhe potencial për të shkuar më tej."
Kujtojmë se përballja e parë më 20 mars zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri, teksa ndeshja e kthimit tre ditë më vonë në kryeqytetin e Islandës.