KATAR 2022| Franca është gati për Argjentinën, rikuperohen të gjithë lojtarët që ishin të infektuar me virus
Pesë lojtarët francezë që munguan dje në seancën stërvitore për shkak të infektimit me një virus në Katar dhe problemeve me lëndime të lehta, u rikthyen në stërvitjen e sotme. Kësisoj, Franca është e kompletuar për finalen ndaj Argjentinës.
Dje në Francë ngjalli panik lajmi se një mori lojtarësh munguan në stërvitje për shkak të një infektimi me virus. Bëhej fjalë për Raphael Varane, Ibrahima Konate dhe Kingsley Konate.
Që të tretë u paraqitën në seancën e sotme stërvitore, ku u dukën të gjithë të buzëqeshur dhe me plot hare, në pritje të zhvillimit të finales së nesërme kundër Argjentinës.
Po ashtu, në stërvitje të pranishëm ishin edhe Theo Hernandez dhe Aurelien Tchouameni. Të dytë kishin ndier dhimbje pas ndeshjes gjysmëfinale kundër Marokut, të cilën e fituan me rezultat 2:0.

Gjatë një çerek orë stërvitje, aq sa ato janë të hapura për mediet, Franca është dukur e kompletuar dhe pa ndonjë mungesë që ia vlen të theksohet.
Çfarë deklaruan Deschamps dhe Lloris në konferencë për shtyp?
Deschamps u pyet nëse është i brengosur me të gjithë këtë përkrahje të madhe që po merr Messi nga të gjitha skajet e botës.
“Ndihem mirë kur jam i vetëm”, tha duke qeshur.

“Duhet të përshtatemi. Kemi bërë gjithçka për të arritur deri këtu që ta luajmë këtë ndeshje. Nuk kam stres. E rëndësishme është qetësia. Objektivi i një finale mbetet kërkimi që ta fitosh një trofe më shumë, edhe pse e di që disa francezë dëshirojnë që të fitojë Argjentina”, shpjegoi ai.
Anipse kjo është finalja e dytë rresht që e arrin Franca, Deschamps mendon se nuk mund të dilet me përfundime se ka ndonjë ngjashmëri të madhe.
“Nuk është e njëjta gjë me finalen e vitit 2018, sepse edhe konteksti është i ndryshëm. Gjashtë ndeshjet e zhvilluara, shpesh me futbollistët e njëjtë titullarë, na ndihmojnë që t’i analizojmë më mirë ato”, nënvizoi Deschamps.
Ai gjithashtu foli edhe rreth të ardhmes së tij, ku la të nënkuptohej se e ka të qartë se çfarë vendimi do ta kumtojë dhe se i njëjti nuk do të ndikohet nga rezultati i ndeshjes së nesërme.
“Udhëheqja e një ekipi kombëtar si Franca është gjëja më e mirë që më ka ndodhur në jetën time profesionale. Franca është mbi të gjithë dhe jam në shërbim të saj. Rezultati i nesërm nuk do të ndikojë në vendimin tim për të ardhmen. Të vetmen gjë që kam ndër mend tani është ndeshja e nesërme”, saktësoi ai.
Ndërkaq kapiteni i Francës nuk mendon se fokusi duhet të koncentrohet te një lojtar i vetëm, pasi ngjarja është më e madhe sesa secili protagonist i përvetshëm.
“Ngjarja është shumë e madhe që të fokusohemi vetëm te një individ. Natyrisht, kur ballafaqohesh me një lojtar të këtij klasi duhet të përshtatesh. Mirëpo, Argjentina nuk është vetëm Messi, por është një ekip i tërë i madh”, shtoi ai.

Për Lloris është e qartë se futbollistët e Argjentinës po bëjnë të pamundurën që edhe ta ndihmojnë Messin për ta mbyllur kapitullin e Kupës së Botës me trofe.
“Ata (futbollistët e Argjentinës) i janë dedikuar Messit, por do të mundohemi që ta gjejmë çelësin për ta ndalur”, theksoi ai.
Portieri i Tottenhamit thotë se e kanë ndër mend të ndikohen nga përkrahja e madhe që po gëzon Messi këto ditë gjithandej botës.
“Kemi mbështetjen e tifozëve tonë. Pjesa tjetër ka krejt pak rëndësi. E dimë çfarë përfaqëson Messi për këtë sport, por do të jetë mbi të gjitha një finale mes Francës dhe Argjentinës”, tha ai.

Në lidhje me gjendjen e ekipit të Francës, Lloris tha se nuk ka ndonjë informatë shtesë rreth shpërndarjes së virusit në gjirin e futbollistëve. Ai tha se një shqetësim i tillë nuk i shpërqendron aspak nga objektivi kryesor, që është fitimi i trofeut.


