Fotoja e përbashkët Messi-Ronaldo: Numri marramendës i pëlqimeve që morën deri tash në rrjete sociale
Gjatë pasdites së të shtunës u publikua një foto nga dy futbollistët më të mirë të dy dekadave të fundit, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Të dy në një foto, për një reklamë apo çkado tjetër, më herët rrallë se ka rastisur t'i shohim. Të gjithë tifozët u gëzuan kur panë diçka të tillë, por sa pëlqime mori kjo foto deri më tani në të gjitha rrjetet sociale?
Ylli portugez, Ronaldo, njihet si shumë i popullarizuar në rrjetet sociale, duke qenë në listën e njerëzve që ka më së shumti ndjekës, dhe kjo foto ikonike nuk mund të kalonte pa u pëlqyer nga ndjekësit e tij.
Larg tij në rrjetet sociale nuk qëndron as ylli i Argjentinës, i cili ka mbyllur llogarinë e tij në Twitter më herët, por në platformat tjera qëndron shumë mirë sa i përket aktivitetit.
Le të shohim se sa pëlqime kanë arritur të dy së bashku por edhe ndarazi.
37-vjeçari portugez në Facebook ka mbi 154 milionë ndjekës, ku shtatë milionë prej tyre kanë pëlqyer foton. Në Instagram nga 500 milionë ndjekës sa ka përafërsisht, në foto ka marrë afër 30 milionë pëlqime, ndërsa në Twitter diç më pak, nga 105 milionë ndjekës 1,3 milionë pëlqime.
Messi në anën tjetër pëlqime ka grumbulluar vetëm në Instagram dhe Facebook. Nga 107 milionë ndjekës në Facebook 5,3 milionë pëlqime kanë ardhur drejt fotos, ndërsa në Instagram nga 375 milionë ndjekës ka marrë mbi 23 milionë pëlqime.
Në total Ronaldo ka grumbulluar afër 38 milionë pëlqime në të gjitha rrjetet sociale, ndërsa Messi afër 29 milionë pëlqimeve, që kur bëhen bashkë janë përafërsisht 67 milionë pëlqime.
Kujtojmë se rekordi i fotos më të pëlqyer në rrjetet sociale mbetet ai një veze që vetëm në një llogari në Instagram kishte arritur 56 milionë pëlqime.
Fotoja e Messit e Ronaldos u shkrep për një reklamë të markës së njohur ‘Louis Vuitton’, foton të cilën e shkrepi Annie Leibovitz, që syri i saj i fotografik ka kapur shumë fytyrë të njohura botërore.