Forma e lartë te Mallorca, dy klubet e mëdha spanjolle e duan transferimin e Vedat Muriqit - NACIONALE

Forma e lartë te Mallorca, dy klubet e mëdha spanjolle e duan transferimin e Vedat Muriqit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Qendërsulmuesi i Mallorcas, Vedat Muriqi është duke u kërkuar nga dy klubet e mëdha spanjolle, Sevilla dhe Villarreal.

Kosovari është duke shkëlqyer në kampionatin spanjoll, duke qenë kyç në formën e lartë të Mallorcas këtë edicion, derisa ishte ndër më meritorët edhe sezonin e kaluar që iu ndihmoi të sigurojnë mbijetesën.

Muriqi deri me tani ka shënuar shtatë gola dhe ka dhuruar një asistim duke qenë një ndër lojtarët më të vlerësuar në ligë, prandaj edhe dy klubet e La Liga-s janë duke provuar ta "joshin", se paku kështu raporton mediumi "Fichajes".

Sevilla

Skuadra e drejtuar nga Jorge Sampaoli kanë nevojë urgjent për një qendërsulmues.

Me gjendjen momentale është e nevojshme që skuadra të këndellet në pjesën e dytë të sezonit dhe janë duke menduar të bëjnë disa lëvizje në afatin kalimtar dimëror.

Pritet që lojtarët si Rafa Mir dhe En Nesyri të largohen pasi nuk gjetën aspak formën e duhur dhe pasuesi i tyre shihet askush tjetër, përpos Muriqit, i cili vlerësohet lartë nga trajneri i tyre, Sampaoli.

Villarreal

"Nëndetësja e verdhë" është duke rënë pak nga pak. Ndryshimi i trajnerit nuk iu ka ndihmuar aspak dhe është parë që kanë nevojë për një qendërsulmues, meqenëse Gerard Moreno ka pësuar lëndime të shpeshta.

Skuadra spanjolle është duke e shikuar Muriqin si përforcim i ri, i cili mund të luajë pranë Morenos.

Ndërkohë, edhe trajneri i ri Quique Setien thuhet se e ka vlerësuar Muriqin si një ndër dëshirat e mëdha të janarit.

Pikë referimi te Mallorca

Në anën tjetër, Muriqi disa herë haptas ka shprehur gatishmëri që të përfundojë karrierën te Mallorca, ku tifozët janë të dashuruar pas tij.

Vetë trajneri i Mallorcas, Javier Aguirre ka konfirmuar se Muriqi është bërë pikë referimi te skuadra spanjolle.

Sipas tij, në rastet kur mungon 28-vjeçari, Mallorca nuk është duke arritur të shënojë gola.

“Të gjithë janë në gatishmëri për të luajtur. Të shohim nëse do ta bëjmë një paraqitje të mirë për të dalë me një rezultat po aq të mirë. Pa Muriqin kemi humbur ndeshje me rezultate 0:1 dhe 1:0. Është e qartë që kemi të bëjmë me një lojtar që për ne është pikë referimi”, kishte thënë ai para dy javëve para ndeshjes ndaj Valencias.

Lajme të ngjashme