Foda: Jemi rikuperuar për Lituaninë, Kosova e ka identitetin e vetë
Përzgjedhësi i Kosovës Franco Foda thotë se lojtarët janë gati për Lituanisë pavarësisht asaj çka ndodhi në Rumani.
Tekniku gjerman konfirmoi se Kosova s’i toleron më asnjë thirrje raciste kundër tyre, kurse kanë disa opsione për t’i zëvendësuar Amir Rrahmanin e Lumbardh Dellovën që janë të suspenduar.
“Për ne si ekip, vendimi i UEFA-s nuk çon peshë sepse e kemi dërguar mesazhin. Nuk do të tolerojmë në të ardhmen një gjë të tillë sepse nuk ka vend për racizëm. Për ne është e qartë dhe do ta bëjmë të njëjtën në secilën ndeshje që përballemi me situata të tilla”.
“Duhet të pranojnë të gjithë se Kosova e ka identitetin e vetë”.
“A do të ndikojë loja me Rumaninë? Jo, ekipi luajti mirë në Rumani. E rëndësishmja është që jemi rikuperuar, kemi mbërritur vonë dje. Tani me rëndësi është të përballemi për ndeshjen e ardhshme. Ekipi ka vetëbesim tepër të madh dhe së bashku treguam lojë të mirë në sulm dhe mbrojtje ndaj Rumanisë. Me Lituaninë do ta kemi edhe tifozët nga mbrapa”.
“Si do t’ia dilni pa Rrahmanin e Dellovën? Këta dy lojtarë janë ndëshkuar prandaj nuk do të jenë të gatshëm për Lituaninë. Kemi opsione të mjaftueshme si Aliti, Hoti, Krasniqin si dhe mundësi të tjera të mbrojtësve të brendshëm”.
“Lituania luan ndryshe nga ekipet e tjera, e ka një mënyrë të lojës interesante. Janë mjaftë atletikë, luajnë sa në mbrojtje menjëherë në sulm. Luan mirë me topa të gjatë por është me rëndësi ta mbajmë topin dhe t’i shfrytëzojmë mundësitë tona”.
“Lituania ka një ekip mjaftë kompakt, e kam përcjellë ndeshjen e tyre në Rumani edhe pse s’kanë marrë asnjë pikë, kanë luajtur shumë mirë. Luajnë shumë mirë në kundërsulme. Ne duhet të japim 100 për qind, t’i shfrytëzojmë rastet dhe ta kemi pasionin dhe energjinë njësoi siç e kishim ndaj Rumanisë”.
Ndërkohë, menaxheri Bajram Shala njoftoi se kanë deponuar fakte në UEFA dhe janë duke punuar për t’ia bërë të qartë shtëpisë së futbollit se çfarë ndodhi në Bukuresht.
“Akoma nuk ka ardhur vendimi i UEFA-s. Dje kemi deponuar disa prej faktit që kemi pasur. Ekipi ynë po vazhdon të punojë deri në afatin e dhënë. Kemi deponuar gjithçka që kemi mundur për t’ua bërë të qartë zyrtarëve të UEFA-s se çfarë ka ndodhur para se ta marrin vendimin e fundit”.
“Lojtarët e kanë bërë të qartë se Kosova nuk do të tolerojë më askënd që ofendon qoftë në baza racore”.