Florian Loshaj në Turqi, ylli i kombëtarës shkon në Istanbulspor
Florian Loshaj ka nënshkruar një kontratë prej katër vjet e gjysmë me Istanbulsor. Kësisoj, ai do t’i bashkohet në të njëjtën skuadër bashkëkombësit së tij, Jetmir Topalli.
Pasi në qershor i skadonte kontrata me Cracovia dhe kjo e fundit nuk llogariti shumë në shërbimet e tij për pjesën e parë të sezonin të sivjetëm, Loshaj nuk kishte shumë zgjidhje tjetër, vetëm se të largohej nga klubi polak.
Sot, mesfushori 26-vjeç “dardan” kompletoi transferimin e tij te Istanbulsor në kampionatin turk. Klubi gjegjës njoftoi se përfaqësuesi kosovar ka nënshkruar kontratë katër vjet e gjysmë.
Loshaj do të gjejë një tjetër bashkëkombës në skuadrën në fjalë. Bëhet fjalë për ish-sulmuesin e Ballkanit, Jetmir Topalli.
Kujtojmë se mesfushori kosovar për tre vjet të plota qëndroi te Cracovia, ku zhvilloi 56 paraqitje, duke shënuar 3 gola. Me këtë klub kujtimin më të mirë që mund ta mbaj është fitimi i Kupës së Polonisë në verën e vitit 2020, në një finale ku ai paraqitej mjaft mirë në fushë.

Tani për të do të fillojë një kapitull i ri në karrierë, teksa mbetet të shihet nëse do ta shfrytëzojë në maksimum këtë trampolinë.
Për momentin skuadra e Istanbulsporit zë pozitën e parafundit tabelore me 18 pikë të arkëtuara. Një pozicion mjaft i vështirë, edhe pse shpresat e klubit janë që ta arrijë misionin e mbijetesës.
Përndryshe, kujtojmë se Loshaj ka qenë vazhdimisht pjesë e listës së përzgjedhësit Giresse, qëkur ai ka marrë detyrën e drejtimit të kombëtares kosovare. Megjithatë, forma e tij ka pasur luhatje të mëdha, edhe si rrjedhojë e moskonsolidimit adekuat të pozitës titullarë në ish-skuadrën e tij, Cracovia.
