Flick shpërthen ndaj mbrojtjes pas barazimit 4:4 me Atleticon
Hansi Flick u zemërua me mbrojtjen e Barcelonës pas barazimit 4:4 me Atletico Madrid në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit të martën.
Barcelona u rikthye nga dy gola të pësuar herët për të kaluar në epërsi në pushim, me Pedrin, Pau Cubarsin dhe Inigo Martinezin në listën e shënuesve.
Robert Lewandowski shënoi golin e katërt të Barcelonës 16 minuta para fundit, por Atletico reagoi me dy gola të shpejtë nga Marcos Llorente dhe Alexander Sorloth, duke siguruar një barazim dramatik.
Barcelona dominoi për pjesën më të madhe të ndeshjes, duke regjistruar një xG (gola të pritur) prej 3.59 nga 16 goditjet e tyre, krahasuar me 1.51 të Atleticos nga 10 përpjekje në portë.
Megjithatë, Flick ishte i pakënaqur në përfundim të ndeshjes, duke theksuar se ishte e papranueshme për një klub si Barcelona të pësonte katër gola dhe se skuadra duhet të mësojë të mbyllë ndeshjet siç duhet.
“I paralajmërova lojtarët që të mos lejonin asnjë rast për kundërshtarin,” tha Flick për TVE.
“Jam i zhgënjyer me rezultatin, sepse ishte kënaqësi të shihja mënyrën si reaguam pas dy golave të hershëm dhe, madje edhe pasi kaluam në avantazh 4:2, krijuam shumë raste. Por gjithçka u hodh poshtë, sepse në minutat e fundit lejuam rikthimin e tyre. Kishim mundësinë të shkonim në ndeshjen e dytë me avantazh. Do të flasim shumë në dhomën e zhveshjes për golat e pësuar. Duhet të korrigjojmë gabimet. Ekipi është i ri, ka shumë hapësirë për përmirësim, por kjo nuk është një justifikim. Pësuam katër gola, dhe kjo është shumë për standardet tona."
Flick, megjithatë, komplimentoi Atleticon për shpirtin luftarak dhe pati fjalë lavdëruese për disa nga lojtarët e tij, veçanërisht për Raphinhën, i cili krijoi më shumë raste (katër) se kushdo tjetër në fushë.
"Jam i frustruar, por gjithashtu i kënaqur me shumë gjëra që pashë në lojë. Por nuk mund të pranojmë gola të tillë," tha Flick.
“Atletico luajti shumë mirë, u përballëm me një skuadër të fortë që dha gjithçka në fushë. Mendoj se dominuam për 80 minuta, por në fund nuk u mbrojtëm siç duhet. Nuk mund ta besoja golin e katërt. Së paku, mendoj se tifozët u kënaqën sepse ishte një ndeshje spektakolare. Atletico ka një ekip fantastik. E rëndësishme është që skuadra të ketë besim për të ecur përpara. Duhet të jemi pozitivë. Nuk e hedhim poshtë këtë rezultat dhe kemi besim se do të fitojmë ndeshjen e dytë.”
Barcelona kthehet në aksion në La Liga të dielën kundër Real Sociedad, ndërsa Atletico do të përballet me Bilbaon të shtunën, para ndeshjeve të Ligës së Kampionëve që të dy skuadrat i zhvillojnë pastaj në mesjavë në kuadër të 1/8 së finales.