Fitojnë edhe Arsenal, Liverpool, Man Utd, Chelsea dhe Tottenham
Favoritët kanë arkëtuar pikët e plota në xhiron e fundit të kampionatit anglez, por që Man City u shpall kampion.
“Topçinjtë” po shpresonin ta fitonin titullin kampion në Angli pas 20 vjeteve, por që nuk e arritën pavarësisht fitores 2:1 ndaj Evertonit, meqenëse Man City nuk gaboi ndaj West Hamit.
Arsenali zhvilloi një paraqitje më dominuese ndaj Evertonit, duke triumfuar në fund me rezultat të ngushtë 2:1.
Ishte Idrissa Gueye që kaloi mysafirët në epërsi me një gol nga gjuajtja e lirë, që u devijua nga Declan Rice dhe përfundoi brenda rrjetës së Rayas (40’).
Arsenali arriti ta barazonte vetëm tre minuta më vonë, me Tomiyasun që shënoi nga afërsia pas asistimit të Martin Odegaardit (43’).
Skuadra e Artetas tentoi deri në fund që ta përmbyste për ta fituar përballjen dhe një gjë të tillë e bëri tejet vonë, me Kai Havertz që realizoi pas një kundëraksioni të shpejtë (89').
Liverpool në anën tjetër e ka mbyllur me fitore epokën nën urdhrat e Jurgen Kloppit, duke mposhtur me rezultat 2:0 Wolvesin.
Mac Allister (34’) dhe Quansah (40’) u përkujdesën që Klopp të përshëndetet me fitore nga stoli i “reds” pas një pune të jashtëzakonshme që një dekadë, edhe pse nuk arritën të fitonin tituj këtë sezon.
Fitore të rëndësishme ka shënuar edhe Chelsea në shtëpi ndaj Bournemouthit me rezultat të ngushtë 2:1.
Moises Caicedo me një gol nga gjysma e fushës i dha epërsinë vendasve, duke përfituar nga një dalje e portierit mysafir (17’).
Ndërsa, ishte Raheem Sterling që e vulosi fitoren pas një asistimi të Cole Palmerit (48’).
E tëra që bëri Bournemouth ishte autogoli i Badiashiles, një minutë pas golit të dytë (49’).
Manchester United ndërkohë ka arkëtuar pikët e plota në udhëtim te Brightoni, me rezultat 0:2.
Mbrojtësi Diogo Dalot bëri heroin, duke shënuar përballë portierit pas një asistimi të Rasmus Hojlund (73’).
Kurse, fitoren e vulosi vetë danezi krejt në fund (88’).
Fitore shënoi edhe Tottenhami në udhëtim te Sheffield Unitedi, me rezultat komod 0:3.
Dy gola të Dejan Kulusevskit (14’, 65’) dhe një i Pedro Porros (65’) ishin të mjaftueshëm që Tottenhami ta mbyllë këtë edicion si vend i pestë në Premierligë, dhe sezonin tjetër do të garojë në Ligën e Evropës.
Kësisoj, ky sezon i Premierligës merr fund me Manchester Cityn kampion. Arsenal, Liverpool dhe Aston Villa i bashkohen “Qytetarëve” në Ligën e Kampionëve, Tottenham dhe Chelsea në Ligën e Evropës, derisa Newcastle United në Ligën e Konferencës.
Megjithatë, situata mund të ndryshojë në rast që Man Utd e fiton FA Cupin, ku do ta siguronin një vend në Ligën e Evropës, duke ndikuar që Chelsea të bie në Ligën e Konferencës.