FINAL 8: Bashkimi e eliminon Pejën, Prishtina triumfon ndaj Prizrenit, mësohen gjysmëfinalistët e Kupës së Kosovës - NACIONALE

FINAL 8: Bashkimi e eliminon Pejën, Prishtina triumfon ndaj Prizrenit, mësohen gjysmëfinalistët e Kupës së Kosovës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Tashmë kanë përfunduar të gjitha ndeshjet çerekfinale të Kupës së Kosovës, që po organizohet në Gjakovë, aty ku befasia e ëmbël doli të ishte Bashkimi që eliminoi Pejën, ndërsa Prishtina avancoi tutje duke mposhtur Prizrenin.

Dje u zhvilluan dy çerekfinalet e para, aty ku Trepça fitoi bindshëm nga Istogut, ndërsa Ylli e mposhti Vëllaznimin.

Sfida e parë sonte ishte mes Bashkimit e Pejës, që filloi në orën 17:00.

Bashkimi e kishte mposhtur disa ditë më parë skuadrën e Rami Hadar, por në kuadër të Superligës, teksa sot kjo fitore erdhi në Kupë të Kosovës.

Bashkimi triumfoi me rezultat të përgjithshëm 73:64, duke qenë skuadra më e mirë në parket gjatë tre çerekëve, ku vetëm një i takoi pejanëve.

Më meritore për këtë fitore ishte Erik Cope, që shënoi 16 pikë dhe kontribuoi me nëntë rebounds, teksa pati ndihmën e Altin Morinës e Will Daniels që shtuan nga 13 pikë respektivisht.

Peja me ambicie të mëdha e përfundon rrugëtimin këtu në Kupën e Kosovës dhe i mbetet të përqëndrohet në Superligë, aty ku është kampion në fuqi.

Përballja e fundit çerekfinale ishte mes Prishtinës dhe Prizrenit, ku skuadra nga kryeqyteti bëri lojë fantastike në çerekun e dytë dhe të tretë, periudha këto vendimtare për të arritur fitore, sidomos pasi 10 minutëshi i parë u mbyll me avantazh të prizrenasve prej nëntë pikësh.

Rezultati përfundimtar ishte 108:90 për Prishtinën, ku Dardan Berisha shkëlqeu me 27 pikë të shënuara, teksa Shirko shtoi 15 sosh, ndërsa Davis, Wilson dhe Smith patën nga 14 pikë.

Gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës do të zhvillohen nesër, aty ku Ylli takohet me Trepçën, ndërsa Prishtina përballet me Bashkimin, ku fituesit luajnë në finalen e madhe më 17 shkurt.

Kujtojmë se Trepça është kampione në fuqi e Kupës së Kosovës, kur e fitoi vitin e kaluar për herë të dytë radhazi.

Lajme të ngjashme