FIBA Europe Cup: KB Trepça pëson disfatë nga Gottingen, me kaq mbaron ëndrra evropiane e mitrovicasve - NACIONALE

FIBA Europe Cup: KB Trepça pëson disfatë nga Gottingen, me kaq mbaron ëndrra evropiane e mitrovicasve

1 vit më parë

nga NACIONALE

KB Trepça ka pësuar disfatë në palestrën “Minatori” kundër Gottingen në çerekfinale të kualifikueseve për FIBA Europe Cup me rezultat 76:62.

Në një atmosferë impozante në “Minatori”, KB Trepça debutoi në kualifikueset për FIBA Europe Cup. Vetë kjo palestër ishte nikoqire e kësaj faze të kualifikimeve, edhe pse në ndeshjen e sotme, të paktën zyrtarisht, Gottingen figuroi si vendëse.

Gjithsesi, atmosfera e ngrohtë dhe përkrahja e publikut mitrovicas nuk pati ndikim të madh aq sa të ndryshonte trajektorja e ndeshjes. Pjesa e parë bëri dallimin për Gottingen, edhe psE KB Trepça në një moment shkriu epërsinë deri në -8 pikë, kur u duk që mund të ëndërronte edhe që të rikthehej në rezultat.

Gottingen me një breshëri treshesh të sakta bëri dallimin në çerekun e parë. Te KB Trepça nuk funksionoi asgjë në pjesë të parë qoftë në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Kësisoj, 10-minutëshi i parë përfundoi me epërsi të trefishtë për gjermanët, që udhëhoqën 29:13.

Në çerekun e dytë, përkundër përpjekjeve të KB Trepçës, assesi nuk u arritë që të ngushtohej rezultati. Edhe në këtë fraksion loje Gottingen fitoi me rezultat 16:9, duke mbyllur pjesën e parë me rezultat të thellë 45:22.

Lojtarët e KB Trepçës në 20 minutat e para hasen në vështirësi të madhe që të ishin më konkretë para koshit të kundërshtarëve. Lojtarët si Erjon Kastrati dhe Drilon Hajrizi, me përvojën e tyre nuk ia dilnin që ta nxjerrnin skuadrën me aksione të mira, siç bëjnë zakonisht në nivel të kampionatit vendor.

Ndërkaq, me të filluar pjesa e dytë, respektivisht çereku i tretë, KB Trepça hyri me një vendosmëri tjetër, për të qenë më e barabartë në parket, ndryshe nga seç tregoi pjesa e parë.

“Minatorët” u treguan më të saktë në goditjet dhe aksionet e tyre, ku më i dalluari ishte Grant, i cili përmes disa koshshënimeve radhazi mundësoi që KB Trepça ta merrte disi veten. Skuadra e Minchevit ia doli që të luajë më mirë në mbrojtje dhe si rrjedhojë çereku i tretë përfundoi me rezultat 15:26 në të mirë të saj.

Me paraqitje shumë të mirë mitrovicasit vazhduan edhe në çerekun e fundit të ndeshjes, të shtyrë edhe nga ndihma e publikut mitrovicas, i cili bëri çmos që t’i inkurajonte për ta bërë më të mirën.

Megjithatë, përtej dëshirës, ata nuk ia dolën që ta shkrinë mjaftueshëm epërsinë, duke bërë që çereku i katërt të mbyllej me rezultat 16:14 në të mirë të gjermanëve, të cilët fituan me epilog 76:62.

Të ilustruara në fotografinë e mëposhtme i keni lojtarët e KB Trepçës që u dalluan më së shumti në këtë ndeshje.

Lajme të ngjashme