FFK-ja zgjedh yllin e javës skandaloze në Superligë - NACIONALE

FFK-ja zgjedh yllin e javës skandaloze në Superligë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Derisa i gjithë komuniteti i sportit në vend i zgjua të hënën ende i tronditur nga ajo çfarë pa të dielën në ditën finale të sezonit 2022/23 në Superligën e futbollit, Federata e Futbollit e Kosovës e nisi ditën e re sikur gjithçka ka shkuar normalisht.

Ka dyshime serioze se ndeshjet Ferizaj-Dukagjini dhe Trepça ’89-Prishtina, të dyja vendimtare në garën për mbijetesë në elitë, u kurdisën dhe për këtë prokuroria ka nisur hetimet menjëherë.

Ferizaji dhe Trepça ’89 po luftonin për mbijetesë në ditën e fundit të sezonit 2022/23 dhe fituan të dyja me gola të dyshimta në kohën e tejzgjatur shtesë.

Derisa Këshilli për Parandalimin e Dhunës në Sport dhe zëvendësministrja e Sportit Daulina Osmani reaguan ashpër ndaj dyshimeve serioze për kurdisje, FFK-ja e udhëhequr nga Ademi Ademi ende nuk ka reaguar në lidhje me dyshimet.

FFK-ja ka qenë e zënë duke raportuar sikur gjithçka shkoi në rregull me sezonit e futbollit.

Ajo madje e zgjodhi edhe yllin e javës në Superligë. Ky çmim i shkoi portierit të KF Malisheva, Flamur N Gashi.

Flamur Gashi nuk ka asgjë të bëjë me katrahurën që ndodhi të dielën në Superligë, por ishte një portier tjetër që tronditi gjithë vendin me veprimin e tij, Altik Muhaxhiri i Dukagjinit.

Çfarë ndodhi?

Trepça ’89 po humbte 1:0 kundër Prishtinës në Mitrovicë deri në minutën e 85-të dhe arriti ta përmbysë rezultatin për të fituar 2:1 brenda pak minutash falë një mbrojtjeje të pashqetësuar dhe moskokëçarëse vizitore. Mënyra sesi bardhekaltrit i pranuan dy gola në fund ngriti shumë dyshime.

Në Ferizaj, ndërkohë, gjyqtari dha 17 minuta shtesë për një ndërprerjeje të shkurtër të ndeshjes dhe për zhagitje të lojës, dhe vendasit shënuan në minutën e 104-të golin e dyshimtë që ua siguron një vend në play-off për të qëndruar në Superligë.

Portieri Altik Muhaxhiri bëri një hedhje të çuditshme duke i larguar duart nga topi që në çfarëdo rrethane do ta kishte kapur me duar pa telashe, duke i hapur dhe këmbët për ta lënë topin të futet në rrjet dhe për t’ia siguruar fitoren Ferizajt.

Pas këtyre rezultateve, Trepça ’89 përfundoi në vendin e parafundit dhe bashkë me Drenicën ranë nga Superliga.

Ferizaj përfundoi e shtata dhe si rrjedhojë do të luajë me Lirinë e Ligës së Parë në një ndeshje play-offi për të mbetur në Superligë.

Lajme të ngjashme