FFK-ja thotë se do t’i hetojë kurdisjet e dyshuara, por e lartëson sezonin e Superligës - NACIONALE

FFK-ja thotë se do t’i hetojë kurdisjet e dyshuara, por e lartëson sezonin e Superligës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit e Kosovës ka thënë se është duke mbledhur dëshmi për t’i hetuar dy ndeshjet që dyshohet se u kurdisën në ditën e fundit të sezonit 2022/23 të Superligës, të cilin, megjithatë, e lartësoi si më të mirin që nga pranimi në UEFA.

Ka dyshime serioze se ndeshjet Ferizaj-Dukagjini dhe Trepça ’89-Prishtina, të dyja vendimtare në garën për mbijetesë në elitë, u kurdisën dhe për këtë prokuroria ka nisur hetimet menjëherë.

Ferizaji dhe Trepça ’89 po luftonin për mbijetesë në ditën e fundit të sezonit 2022/23 dhe fituan të dyja me gola të dyshimta në kohën e tejzgjatur shtesë.

FFK-ja ishte e fundit që reagoi për këto dyshime të hënën pasdite, me një komunikatë në uebsajtin e vet zyrtar.

“Në fundjavë u përmbyll edicioni i rregullt i garave 2022/23 në Albi Mall Superligë. Një edicion ky, që nga të gjithë njohësit e futbollit u vlerësua si njëri ndër kampionatet më të mira pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA”, shkruhet në njoftim.

Megjithatë, ndeshjet e xhiros së 36-të, në të cilat vendosej për rënie nga liga dhe për hyrje në barazh, bën shumë bujë dhe sollën polemika e komente të ndryshme. Duke pasur parasysh të gjitha këto rrethana, FFK-ja i ka marrë të gjitha informacionet relevante për dy ndeshjet më të përfolura të kësaj xhiroje, Ferizaj-Dukagjini dhe Trepça’89-Prishtina”, shkroi FFK-ja.

Trepça ’89 po humbte 1:0 kundër Prishtinës në Mitrovicë deri në minutën e 85-të dhe arriti ta përmbysë rezultatin për të fituar 2:1 brenda pak minutash falë një mbrojtjeje të pashqetësuar dhe moskokëçarëse vizitore. Mënyra sesi bardhekaltrit i pranuan dy gola në fund ngriti shumë dyshime.

Në Ferizaj, ndërkohë, gjyqtari dha 17 minuta shtesë për një ndërprerjeje të shkurtër të ndeshjes dhe për zhagitje të lojës, dhe vendasit shënuan në minutën e 104-të golin e dyshimtë që ua siguron një vend në play-off për të qëndruar në Superligë.

Portieri Altik Muhaxhiri bëri një hedhje të çuditshme duke i larguar duart nga topi që në çfarëdo rrethane do ta kishte kapur me duar pa telashe, duke i hapur dhe këmbët për ta lënë topin të futet në rrjet dhe për t’ia siguruar fitoren Ferizajt.

FFK-ja shtoi: “Pas përfundimit të këtyre ndeshjeve, organet përkatëse të FFK-së, në përputhje me rregulloret e brendshme dhe aktet normative të UEFA-së, kanë ndërmarrë masat e duhura dhe kanë filluar procesin e mbledhjes së deklaratave dhe dëshmive nga të gjithë zyrtarët e këtyre ndeshjeve për t’i adresuar dhe shqyrtuar ato me seriozitet maksimal.

Federata, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar për Parandalimin e Dhunës në Sport, e nëpërmjet tij edhe me Prokurorinë e Shtetit, do të angazhohet maksimalisht për hetimin e të gjitha pretendimeve për kurdisje të ndeshjeve dhe prishje të “fair-play”. Çdo pretendim që vërtetohet do të ndëshkohet me ashpërsi në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret përkatëse.”

Pas këtyre rezultateve, Trepça ’89 përfundoi në vendin e parafundit dhe bashkë me Drenicën ranë nga Superliga.

Ferizaj përfundoi e shtata dhe si rrjedhojë do të luajë me Lirinë e Ligës së Parë në një ndeshje play-offi për të mbetur në Superligë.

Lajme të ngjashme