FFK-ja nëser mban Kuvend të rëndësishëm, por s'e tregon as orën as nëse mediat lejohen
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) vazhdon të tregojë mostrasparencë. Ajo nesër do të mbajë Kuvendin ku në rend të ditës është votimi i Draft-Statutit kontrovers e skandaloz, por mediet janë lënë në terr informativ, duke mos u informuar as për orarin se kur do të fillojë ky Kuvend.
Në faqen e FFK-së nuk është dhënë asnjë informatë në lidhje me Kuvendin e nesërm që do të mbahet, e ku si rend i ditës do të jetë votimi i Statutit të ri, i cili është përpiluar në formë kontroverse dhe përmbajtja e tij është skandaloze.
Kjo është dëshmia e radhës sesa është jotransparente, jokorrekte dhe aspak e hapur me publikun kjo federatë. Medieve u ishte privuar e drejta e mbulimit të Kuvendeve të ngjashme që ishin të rëndësishme edhe në të kaluarën. Me insistim të Ademit përdhoseshin gazetarët, duke mos u lënë që të kryenin aktivitetin e tyre.
Gjithsesi, kundër këtij Statuti janë shprehur disa klube deri më tani nga Superliga e Kosovës, si Drita, Prishtina apo Trepça ’89. Qëllimi i këtij Statuti është që ta normalizojë kandidaturën e Agim Ademit edhe për vite me radhë në krye të shtëpisë së futbollit.
Po ashtu, nëse ky Statut miratohet, atëherë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv do t’iu shtohen jashtëligjshëm dy vite në mandatin tyre.
Statuti i ri ua mundëson atyre të qëndrojnë në pozitë deri më 2026, pavarësisht se mandati është katërvjeçar. Për më tepër, me Statutin e ri, FFK-ja synon që t’ua shlyejë presidentit dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv mandatet e kaluara në vitin 2026, kur përfundon mandati i tretë i tyre, që nënkupton se ata do të mundë të zgjidhën përsëri edhe për tri mandate të tjera pas vitit 2026.
Po ashtu, Komisioni Vlerësues i Ministrisë së Sportit ia ka hedhur poshtë sërish kërkesën për licencim Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të mangësive dhe dokumenteve të pakompletuara, për çfarë e akuzon Agim Ademi se gënjeu në deklaratën nën betim.
Në emailin e parë nga Gazeta Nacionale, që KVLFS-ja ia ka dërguar sot Ademit, ajo e akuzon shefin e futbollit në vend se e shkeli deklaratën nën betim.
Në dokumentacionin e dërguar në MKRS, Ademi kishte deklaruar: “Përmes kësaj deklarate, nën përgjegjësinë para ligjit, deklaroj se të gjitha të dhënat e paraqitura në dokumentacionin e dorëzuar tek MKRS-ja për licencim nga federata e sportit përkatës, janë plotësisht të sakta dhe të vërtetuara paraprakisht nga zyrtarët përgjegjës të federatës përkatëse”.
