FFK-ja e shkel Statutin me një marrëveshje financimi, në kohën kur po hetohet për korrupsion - NACIONALE

FFK-ja e shkel Statutin me një marrëveshje financimi, në kohën kur po hetohet për korrupsion

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka shkelur Statutin e vet duke e nënshkruar një marrëveshje financimi me një komunë, në një kohë kur është duke u hetuar për korrupsion dhe kreu i saj Agim Ademi ndodhet në arrest shtëpiak për këtë.

FFK-ja nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Komunën e Dragashit për financimin e përbashkët të projektit për ndërtimin e Stadiumit të qytezës së Dragashit të mërkurën.

Në emër të FFK-së dhe presidentit të arrestuar Ademi, marrëveshja u nënshkrua nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv Mirsad Çollaku, gjë që bie ndesh me vetë Statutin e federatës.

“Ky memorandum u nënshkrua nga kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, dhe në emër të kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, z.Agim Ademi, memorandumin e nënshkroi kryetari i Lidhjes Rajonale të Futbollit në Prizren, njëherit edhe anëtar i Komitetit të FFK-së, z.Mirsad Çollaku”, thuhej në njoftim të Komunës së Dragashit.

Agim Ademi ndodhet në arrest shtëpiak njëmujor që nga fundi i muajit mars, i dyshuar për shmangie tatimore dhe për keqpërdorimin e parasë së federatës.

Kur presidenti mungon, ai mund të zëvendësohet vetëm nga nënpresidenti i parë apo i dytë, por jo edhe nga një anëtari i Komitetit Ekzekutiv.

Prandaj, marrëveshja e nënshkruar nga Çollaku me Komunën e Dragashit për ndërtimin e stadiumit të qytetit nuk ka bazë ligjore, sipas Statutit të FFK-së, Neni 43, pika 5, i cili thekson: Nëse Presidenti mungon ose nuk është në dispozicion, nënpresidenti i parë në dispozicion e zëvendëson. Nëse nënpresidenti i parë mungon ose nuk është në dispozicion, nënpresidenti tjetër në dispozicion e zëvendëson.

Kjo marrëveshje e dyshimtë u nënshkrua në një kohë kur federata e futbollit është në rrëmujë të plotë.

Policia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës janë duke i hetuar Ademin bashkë me disa zyrtarë të tjerë të federatës për korrupsion në shtëpinë e futbollit.

Përveç Ademit, këtë javë u morën në pyetje edhe katër zyrtarë të tjerë të FFK-së, nën dyshimin se kanë keqpërdorur fondet e federatës.

FFK-ja është duke u përballë edhe me telashe të tjera përpos faktit se është duke u hetuar, pasi ka gati një vit që është duke bërë përpjekje dëshpëruese për t’u licencuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Dështimet e saj të vazhdueshme dhe kokëfortësia e kreut të saj për ta ruajtur postin rrezikojnë një kolaps total të futbollit në vend.

Lajme të ngjashme