FFK-ja e akuzon sërish policinë se u fut pa autorizim në hotelin e lojtarëve të Kombëtares
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka mbajtur mbledhje urgjente për zhvillimet e fundit, që kanë të bëjnë kryesisht me arrestimin e Presidentit të FFK-së, Agim Ademi. Nga KE-ja kanë ritheksuar sërish se Policia e Kosovës u fut paautorizim në hotelin ku qëndrojnë lojtarët e Kombëtares.
Kjo mbledhje në mungesë të Agim Ademit, u udhëheq nga nënkryetari, Bakir Burri, për të adresuar të gjitha shqetësimet sipas tyre.
KE-ja thotë se ditën e 21 marsit në zyre të FFK-së dhe në hotelin e Kombëtares kanë ndërhyrë forcat e rendit pa asnjë lloj dokumentacioni të prezantuar dhe sipas tyre kjo dëshmohet edhe në komunikatën e Policisë një ditë më vonë.
“KE shpreh shqetësimin në lidhje me të gjitha veprimet që kanë ndodhur me datë 21 mars, në zyret e FFK-së dhe ndaj stafit të Kombëtares në hotelin ku është i akomoduar, nga disa policë civilë, të cilët kanë ndërhyrë pa u prezantuar fare dhe pa asnjë dokumentacion, gjë e cila dëshmohet edhe në komunikatën e policisë, sepse nuk ka pasur asnjë shkresë zyrtare deri më datën 22 mars 2023. Këto veprime pa bazë ligjore, KE do t’i adresojë pranë organeve përkatëse të Kosovës.”
Komiteti Ekzekutiv bëri të ditur se këto shqetësime FFK-ja do t’i përcjellë edhe në FIFA dhe UEFA.
“Gjithashtu, KE i FFK-së vendosi që t’i informojë instancat më të larta ku bënë pjesë, UEFA-n dhe FIFA-n dhe t’ua paraqesë një raport të detajuar mbi zhvillimet e fundit dhe njëherësh t’i mbajë të informuara në vazhdimësi. KE edhe një herë rithekson gatishmërinë për të bashkëpunuar me çdo institucion të Kosovës, të UEFA-s dhe FIFA-s për adresimin e të gjitha çështjeve dhe parregullsive potenciale, të cilat kanë mundur të ndodhin, si pranë organeve të saj përkatëse, po ashtu edhe atyre shtetërore.”
