FFK e shtyn ndeshjen mes Ballkanit dhe Lirisë së Prizrenit - NACIONALE

FFK e shtyn ndeshjen mes Ballkanit dhe Lirisë së Prizrenit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) papritur e ka konfirmuar kërkesën e Lirisë së Prizrenit që të mos e zhvillojnë përballjen ndaj Ballkanit.

Kampioni i Kosovës pritej ta niste sezonin pranveror në udhëtim te Liria, por takimi është shtyrë shkaku që skuadrës prizrenase i mungojnë lojtarët që kanë udhëtuar për të përfaqësuar shtetin e tyre në Ligën e Kombeve të Afrikës.

Edhe pse nuk ka pasur ndonjë komunikatë zyrtare nga FFK-ja, lajmin e ka konfirmuar sekretari i Ballkanit Arben Osmani për Gazetën Nacionale.

Po, është shtyrë ndeshja. Ka të bëjë me mungesën e lojtarëve të Prizrenit që janë në Ligën e Kombeve të Afrikës edhe pse ata tashmë janë eliminuar nga ai kompeticion”.

I pyetur nëse do të paraqesin ndonjë ankesë në FFK lidhur me këtë situatë, Osmani vetëm shtoi: “Do të kishim pasur dëshirë nëse kjo lojë do të zhvillohej”.

Ndër të tjera, FFK-ja ende s’e ka caktuar datën se kur do të zhvillohet ky takim, meqenëse tani e ndryshon edhe orarin e planifikuar.

Përndryshe, të dielën zhvillohen katër takime në kuadër të Kupës së Kosovës, duke nisur me Ballkani - Vëllaznimi, Drita e pret Rilindjen, Dukagjini përballet me Dinamo Ferizaj kurse derbi është ndërmjet Trepçës ’89 dhe Llapit.

Të gjitha takimet do të nisin me fillim nga ora 13:00.

Lajme të ngjashme