FFK dhe Komuna e Prishtinës arrijnë marrëveshje për menaxhimin e stadiumit “Fadil Vokrri”
Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje me Komunën e Prishtinës për menaxhimin e stadiumit “Fadil Vokrri” për pesë vitet e ardhshme.
Në ditën e fundit të vitit kalendarik 2022, FFK dhe Komuna e Prishtinës kanë gjetur gjuhën e pajtimit për menaxhimin e stadiumit “Fadil Vokrri”.
Kompromisi i arritur mes palëve nënkupton se në pesë vitet e ardhshme stadiumi i kryeqytetit, që njëherësh është edhe foleja e ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës, do të menaxhohet nga FFK.
“Sipas kësaj marrëveshje, stadiumi “Fadil Vokrri” edhe për pesë vjet të tjera do të vazhdojë të menaxhohet dhe të shfrytëzohet nga FFK-ja.Menaxhimin e këtij impianti të rëndësishëm ia ka besuar FFK-së, në mënyrë që bashkërisht të vazhdojë mirëmbajtja e tij por dhe investimet në riparimin e fushës e pjesët e tjera të objektit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
FFK po vazhdon të zotohet se do të marrë nismë edhe për investimet në këtë impiant, ndonëse deri tani të gjitha kanë mbetur vetëm fjalë boshe, pasi diçka konkrete nuk është parë duke u realizuar.
“Është shprehur gatishmëria e FFK-së për investime kapitale në këtë stadium në të ardhmen, bashkë me komunën dhe me ministrinë e Sportit, duke përfshirë projektin e rritjes së kapacitetit, por edhe të modernizimit të mëtejmë të objektit në tërësi, pasi siç ka thënë, ky stadium është simbol jo vetëm i kryeqytetit, por edhe i vendit tonë”, nënvizohet në komunikatën e lëshuar nga FFK-ja.
FFK ka diç më pak se tre muaj kohë për ta përmirësuar gjendjen e rënduar të fushës, e cila shpesh ka qenë edhe subjekt i kritikave nga delegatët e UEFA-s. Tre muaj sepse kaq mungojnë deri në fillimin e kualifikimeve për Evropianin 2023, kur Kosova do t’i zhvillojë pesë ndeshje në terrenin vendës.

