Feyenoord fiton derbin ndaj Romës, gjithçka vendoset në "Olimpico"
Feyenoord ka arritur ta fitojë me rezultat minimal derbin ndaj Romës, në kuadër të çerekfinales së Ligës të Evropës.
Edhe pse italianët zhvilluan lojë më të mirë, ishin vendasit që shënuan fitore me rezultat 1:0.
Ndeshja deri vonë ishte tejet e qetë, me dy skuadrat që provonin të ndërtonin disa aksione, mirëpo larg konkretimizit të tyre.
Feyenoord kishte një mundësi të mirë shënimi me anë të Szymanski, por goditja e tij përfundoi jashtë portës.
Në fundin e pjesës së parë, Roma fitoi një penallti pas një prekje të topit me dorë nga Mats Wieffer, mirëpo Lorenzo Pellegrini dështoi duke goditur shtyllën e majtë.
Ishte Mats Wieffer që shënoi një gol të bukur nga distanca pas një pasimi të saktë të Oussama Idrissi për ta kaluar Feyenoordin në epërsi (54').
Roma tutje kishte gjasa për ta barazuar rezultatin por assesi s'ia dolën t'i finalizonin.
Kështu, gjiganti holandez merr avantazhin dhe tani i duhet vetëm që ta ruajë për të avancuar në gjysmëfinale. Përballja kthyese zhvillohet javën tjetër në "Olimpico".