FC Prishtina me trajner të ri, emëron nigerianin Emmanuel Egbo - NACIONALE

FC Prishtina me trajner të ri, emëron nigerianin Emmanuel Egbo

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pak orë pasi njoftuan se kanë shkëputur kontratën me Debatik Currin, FC Prishtina tani ka njoftuar për trajnerin e ri të saj, që do të jetë Emmanuel Egbo.

Pas një fillimi jo shumë të mirë të skuadrës nga kryeqyteti në Superligë, me 2 fitore, shtatë barazime dhe një humbje, ata u pajtuan për shkëputjen e kontratës me marrëveshje të Currit, siç u tha në komunikatë të klubit në faqën zyrtare në Facebook.

Tani në krye të klubit do të vijë një emër jo i panjohur për futbollin shqiptar. Vendin e Debatikut do ta marrë Egbo, që më parë udhëhoqi Tiranën drejt një titulli kampion.

Emmanuel Egbo ishte portier, ku kishte mbrojtur për Tiranën dhe Bylysin, në këtë të fundit që u pensionua.

Ai vazhdoi si trajner i portierëve, pastaj për t’u bërë kryetrajner në këto dy skuadra shqiptare.

Pasi e shpalli Tiranën kampione në sezonin 2019/2020, ai u largua nga Shqipëria në nëntor të vitit 2020 dhe deri në vitin 2022 ishte pa skuadër, kur mori drejtimin e skuadrës nga kategoria e dytë në Arabinë Saudite, Ohod.

Tani për të do të jetë eksperienca e parë në Kosovë, ku në pika të shkurta tha se e njeh këtë klub dhe se për të nuk ishte e vështirë të pranonte këtë ofertë.

“E njoh Prishtinën, është klubi më i madh në Kosovë, nuk diskutohet me trofetë që ka fituar dhe me shumë ngjarjet që ka bërë me futbollin e Kosovës. Nuk ishte shumë e vështirë të pranoja ofertën. Pas shpjegimit të planeve dhe objektivave që ka klubi dhe duke qenë tip që i dua sfidat, duke qenë se kam punuar edhe te Tirana, si kulmi i futbollit në Shqipëri, e di që çfarë presioni kanë klubet si Prishtina dhe nuk e pata të vështirë të pranoja punën. Do të jetë ide e mirë të bashkëpunoj me klubin. Nga afër nuk e njoh ekipin, por kam ndjekur skuadrën edhe në të kaluarën, por edhe tash së fundi, nga pamjet televizive në Shqipëri, por edhe nga video-ndeshjet. Por, objektivat janë të qarta, arritja më e pakët është Evropa, pse jo edhe më lartë, por kjo mund të arrihet vetëm të bashkuar me të gjithë punëtorët e klubit deri te futbollisti më kryesor i skuadrës”.

Egbo në Prishtinë do të ndihmohet nga trajneri Eldiano Topi, që vjen nga Shqipëria dhe që ka punuar më parë me nigerianin.

Lajme të ngjashme