“Faleminderit shumë Premierligës” - Arteta ankohet pas disfatës kundër Liverpoolit
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka thënë se skuadra e tij nuk është duke u trajtuar barabartë nga Premierliga, duke u ankuar për orarin e ngjeshur të ndeshjeve, pas disfatës kundër Liverpoolit të mërkurën.
Pas humbjes 2:0 kundër të kuqve mbrëmë në shtëpi, topçinjtë do ta luajnë ndeshjen e tretë radhazi brenda vetëm gjashtë ditëve, pasi do të udhëtojnë drejt Villa Park të shtunën për t’u përballur me Aston Villën.
Në muajin që vjen ata sërish do të kenë një orar shumë të vështirë, duke u përballur me Chelsean dhe Manchester United në një periudhë prej vetëm tri ditëve.
Çfarë tha Arteta në intervistë?
39-vjeçari është shprehur i pakënaqur dhe në mënyrë ironike ka falënderuar Premierligën për orarin e vështirë dhe me shumë pak pushime ndërmjet ndeshjeve.
“Faleminderit Premierligë që po e bëni këtë për ne”, ka thënë Arteta menjëherë pas humbjes nga Liverpooli.
“Dhe kjo prapë do përsëritet në muajin që vjen, duke na përballur me Chelsean dhe Manchester Unitedin. Pra nëse duan që t’i ndihmojnë ndonjërit ekip, po ju them tani: ‘Faleminderit shumë që po e bëni këtë’.”
Më tutje shtoi: “Jo, Premierliga nuk do ta ndryshojë këtë orar asnjëherë, por ne si Arsenal jemi të prekur nga ky orar dhe e vetmja gjë që më intereson është Arsenali. Dhe kjo për Arsenalin s’është aspak e drejtë.”
Përkundër që kjo periudhë ishte e ngarkuar për ta, Arteta tha se lojtarët e tij do të jenë gati për ndeshjen në udhëtim kundër Aston Villas.
“Po, ne jemi gati 100%. Mos u brengosni sepse lojtarët do të jenë aty, me shumë energji,” tha spanjolli.
“Lojtarët tanë do të ushqehen, do të flenë dhe do të jenë me energji si gjithmonë, por sërish faleminderit shumë Premierligës që ka menduar për ne, duke na vënë këtë orar. Shumë, shumë e dobishme për ne.”
Arsenal po qëndron ende në top katërshe
Golat e Diogo Jotas dhe Roberto Firminos në fitoren kundër Arsenalit me rezultat 2:0 e dërguan Liverpoolin në vetëm një pikë mbrapa liderit Manchester Cityt.
Arsenali, përkundër humbjes qëndron ende në pozitën e katërt në tabelë, me një pikë më shumë se Manchester United, por skuadra e Artetas ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.
Pas ndeshjes me Aston Villan në këtë fundjavë, do ta kenë një pushim për shkak që luajnë kombëtaret, dhe pas kësaj do të rikthehen në aksion si mysafir i Crystal Palaces më 4 prill./Përgatiti Vivianit Gërguri/