Everton e konsideron Rooney si pasuesi i Lampard - NACIONALE

Everton e konsideron Rooney si pasuesi i Lampard

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Wayne Rooney është në listën e shkurtër të Evertonit për ta zëvendësuar Frank Lampard, i cili po kalon ditë të vështira për ta shpëtuar punën.

Legjenda e Chelseas mund të shkarkohet së shpejti nëse skuadra e tij nuk këndellet, sidomos pas asaj humbjes 4:1 nga Brightoni.

Raportohet se në rast të eliminimit nga Manchester Unitedi në Fa Cup të premten mbrëma, më shumë gjasë do të përfundonte edhe epoka 12 mujore e teknikut anglez në Merseyside.

Everton ka nisur të kërkojë pasuesin dhe tani mediat britanike shkruajnë se Lampard mund të zëvendësohet nga ish bashkëlojtari Rooney.

Trajneri momental i DC United refuzoi rikthimin te Everton vitin e kaluar si pasuesi i Rafa Benitez, por tani thuhet se po mendon se është koha e duhur të drejtojë një klub në Premierligë.

Përpos Rooney, në këtë listë ndodhen edhe ish trajneri i Burnley, Sean Dyche dhe Roberto Martinez i cili kishte drejtuar Evertonin mes viteve 2013-2016, ngase tani është agjent i lirë pasi u largua nga komëbtarja e Belgjikës.

Duke folur pas humbjes nga Brighton, Lampard vazhdon të jetë optimist se mund ta këndellë Evertonin.

"Ishte zhgënjyese qysh nga pjesa e parë. Ishte gabimi ynë te goli i tyre, por mendoj se në përgjithësi ishte e barabartë, kishim shanset tona".

"Por, tre gola në gjashtë minuta, gabimet në mbrojtje që bëmë ndikuan ta përfundojmë lojën. Jemi të gjithë se bashku, nuk ka lidhje me zemërimin. Jemi të zhgënjyer dhe duam të fitojmë ndeshje".

"Që kur jam këtu jemi duke luftuar për mbijetesë. Nuk mund t'i kontrolloj kritikët, por nuk fokusohem tek ta. Jam i sigurt në vetën time, por nuk e parashikoj të ardhmen. Ndeshjen e radhës përballemi me Manchester United dhe të shohim", kishte deklaruar ai.

Lajme të ngjashme