EURO 2024: UEFA cakton gjyqtarët nga Gjermania për ndeshjen Itali - Shqipëri
Kombëtarja e Shqipërisë do ta fillojë rrugëtimin e saj në Kampionatin Evropian të shtunën (ditën e dytë), ku përballet me kampionin në fuqi të Evropës, Italinë, në kuadër të Grupit B, që njihet ndryshe si 'Grupi i Vdekjes'.
Shtëpia e futbollit evropian, UEFA, tashmë ka caktuar gjyqtarët për këtë ndeshje, ku ekipa gjermane do ta ketë drejtësinë në duar.
Gjyqtari kryesor i takimit do të jetë, Felix Zwayer, i njohur për punën e tij, si një nga gjyqtarët më të mirë në botë. Ai do të ndihmohet në fushë nga dy anësorët, Stefan Lupp dhe Marco Archmuller, teksa gjyqtari i katërt do të jetë Daniel Siebert.
Nga Gjermania do të jenë edhe gjyqtarët në VAR. Bastian Dankert do të jetë kryesori në video-asistencë, teksa do të ndihmohet nga dy asistentët, Christian Dingert dhe Rob Dieperink, me këtë të fundit që është nga Holanda.
Përballja e parë e Shqipërisë në 'Grupin e Ferrit' ndaj Italisë, do të zhvillohet në stadiumin e Borussia Dortmund, Signal Iduna Park, me mbi 60 mijë ulëse, e ku kuqezinjtë do të dominojnë në tribuna sipas një raportimi nga ESPN, ku priten të jenë mbi 50 mijë shqiptarë në stadium.
Ky takim zhvillohet një ditë pas hapjes, më 15 qershor (e shtunë) me fillim nga ora 21:00.