EURO 2024: Pa gola në dy takimet e grupit C pas pjesës së parë
Ka përfunduar pjesa e parë në të dy takimet e grupit C, në kuadër të xhiros së tretë dhe të fundit, aty ku Anglia po barazon pa gola me Slloveninë, e rezultati i njëjtë është edhe në takimin Danimarkë - Serbi.
Tre Luanët ndonëse e nisën shumë ngadalë takimin, me kalimin e minutave arritën të tregoheshin në disa raste të rrezikshëm.
Harry Kane tentoi nga distanca, por Oblak e ndali goditjen lehtësisht, ndërsa Foden nga gjuajtja e lirë ishte tentimi më serioz, por që edhe ai rast u ndal nga portieri slloven.
Vlen të ceket se anglezët shënuan një gol me Bukayo Saka, por që u anulua për pozitë jashtë loje të Foden, paraprakisht.
Në anën tjetër edhe Sllovenia pati një rast shënimi, por që goditja me kokë ishte shumë e lehtë për Pickford.
Në takimin tjetër, Danimarka është duke e dominuar Serbinë, si në posedim ashtu edhe në rastet e krijuara, por që rezultati vazhdon të mbetet 0:0.
Kujtojmë se me gjendjen momentale, Anglia kualifikohet si lidere në fazën e eliminimit direkt, ndërsa Sllovenia nga vendi i dytë me tri pikë, ndërsa Danimarka ka shansa reale që nga vendi i tretë të sigurojë biletën për 1/8 e finales.