EURO 2024 | Italia triumfon me shumë vështirësi ndaj Shqipërisë - NACIONALE

EURO 2024 | Italia triumfon me shumë vështirësi ndaj Shqipërisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Italisë ka shënuar fitore me shumë vështirësi ndaj Kombëtares së Shqipërisë në duelin e xhiros së parë të grupit B, me rezultat 2:1, në ndeshjen që u zhvillua në Signal Iduna Park të Dortmundit.

Italianët ishin për një nuancë më të mirë se kuqezinjtë gjatë 90 minutave të takimit, duke pasur më shumë raste shënimi, por edhe e kontrolluan tempon e lojës, ndonëse Shqipëria avancoi shumë herët.

Nëse për asgjë, Shqipëria dhe Nedim Bajrami do të mbahen në mend për golin më të shpejtë në histori të Kampionateve Evropiane, pasi ylli i Sassuolos shënoi vetëm pas 22 sekondave lojë, për 1:0.

Kliko këtu për të parë golin e Nedim Bajramit

Por reagimi i Italisë ishte shumë i shpejtë, për të përmbysur rezultatin në favor të tyrin brenda pjesës së parë.

Fillimisht ishte Alessandro Bastoni që shënoi me kokë në minutën e 11-të për të barazuar rezultatin në 1:1, pas harkimit të Pellegrinit dhe një reagimi jo të mirë nga mbrojtja shqiptare.

Pesë minuta më vonë, saktësisht në minutën e 16-të, Italia u hodh në sulm, ku një top i kthyer nga mbrojtja e kuqezinjve, erdhi te këmba e Nicolo Barellës, i cili lëshoi një goditje të fuqishme, për ta lënë të shtangur Tomas Strakoshën dhe gjithë Shqipërinë, pra duke shënuar për rezultatin 2:1.

Deri në fund të pjesës së parë nuk pati asgjë nga të dy skuadrat, duke shkuar me këtë rezultat në pushimin prej 15 minutave.

Edhe 45 minutat e dyta i takuan italianëve, që kontrolluan me shumë siguri topin, duke mos rrezikuar shumë, me shumë pak raste kur Shqipëria mori topin për t'u treguar e rrezikshme.

Pjesa e dytë nuk prodhoi asnjë gol, me Italinë që fitoi takimin 2:1 ndaj Shqipërisë.

Tani gjendja në grupin B është kësisoj. Spanja me fitoren e thellë ndaj Kroacisë mbanë vendin e parë, me këta të fundit që kanë pozitën e fundit. Italia në anën tjetër merr pozitën e dytë, ndërsa Shqipëria vendin e tretë.

Në xhiron e dytë të grupit B, takohen Kroacia - Shqipëria dhe Spanja - Italia, me datë 19 dhe 20 qershor, respektivisht.

Lajme të ngjashme