“Është sikur unë”, Ozil me lëvdata për Arda Guler
Ish mesfushori Mesut Ozil thotë se e sheh vetën te Arda Guler, ndërsa shtoi se Real Madridi duhet ta mbrojë në të gjitha kushtet.
Guler po kalon sezonin e dytë te “Los Blancos” që prej kalimit nga Fenerbahce në vitin 2023, në një marrëveshje prej 20 milionë eurove.
Edhe pse po zhvillon pak minuta, Guler vlerësohet lartë te Real Madridi. Ozil në një intervistë së fundmi ka dhënë lëvdata për talentin turk.
“Kur e shikoj futbollin tani, jam në një periudhë që nuk e shijoj shumë”.
“Kishte shumë emra në kohën time, por tani Arda Guler është sikur unë”.
“Duhet të mbrojmë talentë si Arda Guler dhe Kenan Yildiz. Kur luan mirë ose keq, nuk ka asgjë që nuk mund të arrijnë kur kombëtarja është prapa tyre”.
Ozil ndër të tjera në këtë intervistë edhe zbuloi se Arsene Wenger provoi ta transferonte te Arsenali në vitin 2010, mirëpo tre vite më vonë kaloi në Londër.
“PSG më donte, Bayerni më kërkonte. Arsene Wenger më telefonoi para se të shkoja në Madrid, por i thashë “Më vjen keq, por kam ofertë nga Reali dhe do të shkoj aty”.
“Por, i thashë se nëse do të largohesha, do të vijë te Arsenali. Pastaj kjo ndodhi në të vërtetë”.
Guler ndërkohë thuhet se nuk është i lumtur me minutazhën te Reali, kurse spekulimet po e dërgojnë te Arsenali.