Erling Haaland: Inshallah debutoj kundër Bayern Munich - NACIONALE

Erling Haaland: Inshallah debutoj kundër Bayern Munich

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Erling Haaland ka thënë se shpreson se do të mundë të debutojë për klubin e vet të ri Manchester City pikërisht kundër Bayern Munich, rivalit të ish-klubit të vet Dortmund.

Sulmuesi norvegjez iu bashkua kampionit të Anglisë City në fillim të këtij muaji, duke nënshkruar marrëveshje pesëvjeçare me të.

Haalandi mungoi në miqësoren e parë të Manchester Cityt kundër Club America të mërkurën, por pritet të luajë kundër Bayernit të shtunën.

Sulmuesi 22-vjeçar i kishte disa telashe të vogla fizike por duket të jetë i gatshëm për ndeshjen e së shtunës në SHBA, ku skuadra e Pep Guardiolës është duke u përgatitur për sezonin e ri në Premierligë.

Për ditëlindjen e 22-të, që e feston sot më 21 korrik, Haaland mori një urim nga një faqe e City në Twitter, ku shkroi se shpreson se debutimi i tij për kampionin e Anglisë do të jetë dhurata e ditëlindjes.

“Faleminderit! Debutimi kundër Bayernit Inshallah”, shkroi Haalandi në Twitter.

Haalandi i shënoi 86 gola në 89 ndeshje për Dortmundin, para se t’i bashkohej skuadrës së Guardiolës këtë verë.

Historia e Haalandit kundër Bayernit

Si lojtar i Dortmundit në dy sezonet e kaluara, sulmuesi norvegjez ka mundur ta shohë nga afër se sa e fortë është skuadra e Bayernit, por tani nën urdhrat e Guardiolës dhe me bashkëlojtarë të rinj, ai shpreson se rezultati do të jetë ndryshe.

Haalandi është përballur shtatë herë me Bayernin si lojtar i Dortmundit në përgjithësi, duke i shënuar plot pesë gola.

Megjithatë, në asnjërën prej ndeshje që Haalandi ka shënuar, Dortmundi nuk ia ka dalë të fitojë përballë rivalit të vet më të madh.

Haaland zgjedhja e parë e City në sulm

Haaland do të jetë zgjedhja e parë në Pep Guardiolës në sulmin e Manchester City për sezonin e ri, me largimin e Gabriel Jesusit, megjithatë ai do të përballet me konkurrencë nga Julian Alvarez, argjentinasi i talentuar.

Guardiola tha se nuk dëshiron të rrezikojë me norvegjezin dhe nuk do ta përdorë derisa të jetë plotësisht në rregull fizikisht, megjithëse nënvizoi se ai mund të luajë kundër Bayernit të shtunën.

“Ai do të jetë gati për ndeshjen e radhës. Ai mori ca goditje dhe ka pak probleme. Do ta shohim. Ai stërviti vetëm dy herë dhe nuk deshëm të rrezikojmë. Sezoni është i gjatë”, tha Guardiola.

Lajme të ngjashme