Erikseni rikthehet në Kombëtaren e Danimarkës për herë të parë që prej arrestit kardiak
Christian Eriksen është thirrur në ekipin kombëtar të Danimarkës për herë të parë që prej arrestit kardiak në Kampionatin Evropian 2020 verën e kaluar.
Mesfushori 20-vjeçar i ka zhvilluar 109 ndeshje për atdheun e vet dhe i është dhënë mundësia ta shtojë numrin e paraqitjeve, pasi i tejkaloi telashet serioze me shëndetin.
Ndeshja e tij e fundit në fanellën e Danimarkës ishte kundër Finlandës më 12 qershor 2021 në Kopenhagën, kur ai pësoi sulm dhe i humbi ndjenjat për disa minuta para se të kthehej në jetë mrekullisht nga mjekët e ekipit.
Pasi zemra i kishte dalë së rrahuri gjatë Kampionatit Evropian, Eriksenit iu vendos një defibrilator pak ditë më vonë dhe ai u lirua nga spitali pas operacionit të suksesshëm.
Ai kishte marrëveshje me kampionin e Serie A, Inter, në atë kohë, por rregullat në Itali për mirëqenien e lojtarit ia ndaluan atij të luante për zikaltrit me defibrilator në zemër.
Interi dhe Erikseni u pajtuan për shkëputjen e parakohshme të marrëveshjes, duke ia mundësuar atij të ushtrojë me ish-klubet e veta Ajax dhe Odense.
Mundësinë për t’u kthyer në futbollin garues Eriksenit ia dha klubi i Premierligës, Brentford, i cili për trajner e ka një tjetër danez, Thomas Frank.
Erikseni me shumë lehtësi është përshtatur në ekipin e bletëve, pasi e realizoi rikthimin emocional në futboll kundër Newcastle Unitedit më 26 shkurt 2022, duke i zhvilluar 33 minuta pasi u fut në lojë nga banka.
Ndeshjen e parë si titullar, ai e zhvilloi kundër Norwich City të Milot Rashicës më 5 mars, derisa 90 minuta i ka zhvilluar edhe kundër Brunley.
Erikseni ka bërë mjaftueshëm për ta bindur trajnerin e Danimarkës Kasper Hjulmand që ta kthejë atë në ekipin kombëtar.
Danimarka do të përballet me Holandën dhe Serbinë në ndeshjet miqësore të marsit.
Erikseni ka kontratë vetëm gjashtëmujore me Brentfordin, pasi të dy palët nuk deshën të përkushtohen ndaj ndonjë kontrate afatgjate në një periudhë pasigurie.
Nëse Erikseni vazhdon të lërë mbresa me formën e tij, duke i ndihmuar skuadrës londineze të mbijetojë në Premierligë, atëherë ekziston mundësia të marrëveshjen mes tyre që atij t’i vazhdohet kontrata deri në vitin 2023.
Danezi është i mësuar me jetën dhe futbollin në Premierligë, pasi i ka kaluar gjashtë vjet në Tottenham para se t’i bashkohet Interit në janar 2020.