Erik ten Hag lejon rikthimin e CR7 këtë javë vetëm nëse portugezi e plotëson një kusht
Trajneri i Manchester Unitedit, Erik ten Hag është i gatshëm ta rikthejë sulmuesin Cristiano Ronaldo me ekipin e parë, vetëm nëse ky i fundit e pranon rolin e reduktuar në skuadër dhe shprehë pendimin për veprimin që bëri.
Ronaldo refuzoi të hyjë në fushë si zëvendësues në fitoren 2:0 ndaj Tottenhamit, derisa u largua nga stadiumi "Old Trafford" ende pa përfunduar koha e rregullt.
Si rezultat, 37-vjeçari u përjashtua nga skuadra për ndeshjen ndaj Chelseas, derisa as nuk është lejuar të stërvitet me ekipin e parë.
Erik ten Hag që i ka dhënë pushim skuadrës ditën e hënë para ndeshjes ndaj Sheriff Tiraspol ka shpjeguar se Ronaldo ende ka një rol për ta luajtur në skuadër këtë edicion.
Sidoqoftë, "The Athletic" raporton se tekniku holandez dëshiron të dëgjojë nga ish ylli i Real Madridit se çfarë ka për të thënë për ndodhitë e pesë ditëve të fundit.
Ten Hag do ta lejojë pesë herë fituesin e Topit të Artë të stërvitet me ekpin e parë vetëm kur ta pranon rolin e reduktuar dhe shpreh pendim për sjelljen e tij në javën e kaluar.
Por, në rast që Ronaldo refuzon sërish dhe vazhdon të kërkojë klub të ri në janar, Ten Hag do të jep dritën e "gjelbër".
Agjenti i Ronaldos, Jorge Mendes provoi ta transferonte lojtarin te skuadrat e mëdha evropiane si Chelsea, Bayern Munich, Atletico Madrid dhe PSG, por këto të fundit e refuzuan.
Napoli, Borussia Dortmund dhe klubi i fëmijërisë së Ronaldos, Sporting CP, u kontaktuan gjithashtu, por shprehën shqetësime të mëdha për koston e rekrutimit të pesë herë fituesit të Topit të Artë.
Gjithashtu ka pasur raportime se Ronaldo mund të lihet të largohet si agjent i lirë në janar nëse arrihet ndonjë marrëveshje për ndërprerjen e bashkëpunimit.
I pyetur nëse Ronaldo i mungoi Man Unitedit në barazimin 1:1 ndaj Chelseas, Ten Hag theksoi: "Po, ai gjithmonë mund të shënojë gola. Është i vlefshëm për ne dhe na nevojitet, kjo është e qartë. Mendoj se mund ta shohësh se në këso ndeshjes ai mund t'i finalizojë rastet, që shihet haptas".
Pastaj sa i përket raportit me Ronaldon, holandezi shtoi: "Mendoj se kam folur mjaftueshëm për këtë situatë. Të fokusohemi te ndeshja, ishte ndeshje e mirë për skuadrën prandaj edhe i përgëzoi".